E Shtunë, 31 Tetor 2026

Auditori nuk ka qasje në tenderët e Zharkut

Në gjashtë dosje të tenderit, në Komunën e Kaçanikut, Auditori Gjeneral nuk ka mundur të ketë qasje për ti audituar ata. Indeksonline mëson se ata tenderët janë të kohës kur në krye të komunës ka qenë kryetari në arrati Xhabir Zharku.

Indeksonline kishte raportuar se tashmë disa dosje të tenderëve janë në Policinë e krimeve ekonomike duke u hetuar për dallavere dhe shkelje të mundshme të ligjit, duke dëmtuar buxheti komunal nga persona të caktuar për qëllime përfitim. Po ashtu, është marrë në pyetje disa herë edhe shefi i prokurimit, e zyrtarë tjerë komunal. Pikërisht hetimet, kanë pamundësuar që Auditori të shohë këta tender, gjatë auditmit që i ka bërë kësaj komunë për pasqyrat financiarë të vitit 2012. Mandej, Auditori, nuk është në dijeni për arsyet dhe statusin e atyre hetimeve, si dhe për rezultatin e mundshëm final të tyre.

“Gjatë inspektimit tonë të dokumenteve për zgjedhjen tone te dosjeve të prokurimit ne kemi vërejtur disa mospërputhje me procedurat qe kërkohen nga Ligjin i Prokurimit Publik 04/L-042. Këto devijime janë përshkruar më poshtë: Gjashtë dosje të prokurimit ku përfshihen dosjet me nr. KA652/12/002/136, KA652/12/27/521, KA652/12/011/136, KA652/12/021/236, KA652/11/32/521 dhe KA652/11/27/521: me shumë totale të kontraktuar prej 336 mijë euro dhe vlerë totale të paguar deri në fund të vitit 2012 prej 299 mijë Euro, janë nën hetime nga zyra e prokurorit publik dhe nuk na janë dhënë neve. Ne nuk jemi në dijeni për arsyet dhe statusin e atyre hetimeve, si dhe për rezultatin e mundshëm final”, thuhet në raportin e auditimit të Komunës së Kaçanikut që e ka publikuar Zyra e Auditorit Gjeneral.

Komuna e Kaçanikut, në përgjigjen që i ka kthyer Auditorit, ka pranuar se 6 dosje janë marrë nga Policia.

Vjet, Njësiti Kundër Krimit Ekonomik i Policisë të Kosovës kishte nisur hetimin për 6 tenderë të Komunës të Kaçanikut për shkak të dyshimit se gjatë procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve është dëmtuar buxheti komunal nga persona të caktuar për qëllime përfitimi. Në hetim ishin këta tender: "Asfaltimi i rrugës në fshatin Gajre", "Rregullimi i gjelbërimit në rrugën 'Ismail Raka'" (palmat), "Blerja e laptopëve për këshilltarët komunalë", "Ndërtimi i trotuarit në Kaçanik të Vjetër" dhe "Furnizimi i Komunës me material shpenzues". Tenderët që po hetohen janë shpallur nga Komuna derisa në krye të saj ishte i arratisuri nga drejtësia, Xhabir Zharku.

Megjithëkëtë, auditori ka gjetur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, edhe në disa tender tjerë.

“Në një tender përfituesi i tenderit nuk kishte kontrata të mëhershme dhe referenca të mjaftueshme. Në tjetër, plani dinamik që do duhej të jepte informacion për periudhën kohore për përfundimin e projektit dhe të kalkulonte ditët nuk gjendej ne dosjen e fituesit të tenderit. Në prokurimin nr. KA652/12/45/521 ishin shkaktuar vonesat të kryerjes së punëve sipas planit dinamik, për shkak të kapaciteteve të ulëta dhe një numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve të autoritetit të kontraktuar. Komuna nuk ka zbatuar ndëshkime për këto vonesa, siç parashihej me kontratë”, ka vërejtur auditori.

Po ashtu në një tjetër tender ku nuk thuhet se cili është, pos shënimi i dosjes, vlera e kontratës ishte më e lartë se kostoja e parallogaritur në ofertën fituese për 643 Eeuro, kurse në një tjetër, edhe pse kriteret e kërkuara nuk përmbusheshin nga pjesëmarrësit në tender, tenderi nuk ishte shpallur për ritenderim. Fituesi nuk i ka dorëzuar Komunës listën e kërkuar të pajisjeve dhe dokumentet mbështetëse për ato pajisje. Shkelje të ligjit Auditori ka evidentuar edhe në disa tender tjetër.

Në auditmin për vitin 2012, Zyra e Auditorit Gjeneral i ka dhëne Kaçanikut 12 rekomandime, kurse ndër problemet e theksuar mbetët edhe faturim i të hyrave vetjake. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›