Ligji për Digjitalizim të përcaktojë më shumë hapësirë për transmetuesin publik

Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala kërkon që Ligji për Digjitalizimin e transmetimeve Radiodifuzive tokësore të përcaktojë më shumë hapësirë televizive për transmetuesin publik. Ndërkohë Drejtues të Komisionit të Pavarur për Media shpresojnë se tri televizionet nacionale në vend do të kenë përparësi me projektligjin për digjitalizim.
Drejtori Gjeneral i Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala kërkon që RTK me ligjin për digjitalizim, transmetuesi publik të ketë dy buqeta televizive apo dy Multi Plex si dhe rrjetin e saj digjital. Shala ka shpjeguar se këtë praktik e kanë ndjekur edhe televizionet tjera ndërkombëtare që kanë statusin e transmetuesit publik.
‘’Ne e kemi një multiplex por e kemi kërkuar edhe një multiplex tjetër ,në fakt Radio Televizioni i Kosovës ka plane zhvillimore qysh i kanë Radio Televizionet Publike nëpër Evropë ose në Ballkan .Ne nuk kemi shpik diçka në fakt kemi shkuar sipas praktikave që i kanë transmetuesit publik nëpër vende tjera. Tjetër çështje të cilën ne e kemi ngritur është që RTK –ja, ta ketë rrjetin e vet të transmetimit dhe normalisht në atë rrjetë mund të kyçen edhe transmetuesit tjerë normalisht qysh të merremi vesh. Unë e di që ka rezistencë te madhe në këtë pikë por RTK-ja,është institucion publik, nuk është i askujt dhe është shumë më lehtë që të menaxhohet me RTK-në, se sa vjen dikush privat dhe ta menaxhojë atë”, theksoi Shala.
Ndërkaq Drejtori i Komisionit të Pavarur për Media, Shefki Ukaj shpreson që këto tri televizione nacionale do të kenë përparësi me projektligjin për digjitalizim.
“Ligji për digjitalizim sigurisht duhet të definoj, frika është te ri-licencimi, por unë shpresoj po them shpresoj sepse ende nuk është e definuar në projektligj, shpresoj shumë që këto tri kanale që kanë kry një mision në Kosovë do të kenë përparësi bukur të madhe”, tha Ukaj.
Digjitalizimi është standard i vendosur nga Komisioni Evropian që duhet të përfundoj edhe në Kosovë deri në 2015. Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes grupeve punuese po punon në strategjinë për digjitalizimin. Ditë më parë Përfaqësuesit e Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës-AMPEK, janë tërhequr nga punimet e grupit punues, duke shprehur pakënaqësi dhe mospajtime me mënyrën e përpilimit të projektligjit për digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive./Indeksonline/