Aurela Gaçe elektrizon skenën e Fest 62: Kjo skenë më rriti, muzika është fryma ime

Këngëtarja e njohur shqiptare, Aurela Gaçe ka elektrizuar skenën e Festivalit të 62-të në Radio Televizionin Shqiptar teksa ka interpretuar një nga këngët “ikonë” të saj, “Fati ynë, shpresë dhe marrëzi”.
Gaçe u prezantua në skenë nga aktori i njohur shqiptar Nik Xhelilaj. Ajo tha se skena e festivalit të RTSH-së është mjedisi përmes së cilës ajo është rritur. Ndërsa u shpreh se muzika është fryma e saj.
“Sa më shumë presin nga ty, aq më shumë frikë kam unë. Jo vetëm skena por muzika në tërësi është fryma ime. Është fryma ime, është skena që më rriti dhe uroj të kem sa më shumë frymë që të jap dhe të marr”, tha Gaçe.
Këngëtarja Gaçe falënderoi artistët dhe muzikantët e njohur që realizuan këngën e saj më të njohur “Fati ynë, shpresë dhe marrëzi”, e cila u rendit e dyta në festivalin e 36-të.
“Unë jam e lumtur që në këtë skenë kam kënduar këtë këngë nga i madhi Ferdinand Deda, kam kënduar poezinë e poetit Ilirjan Zhupa me një orkestrion që e ngriti këngën në atë nivel nga Shpëtim Saraçi. Por pa dashur të mos përmend ata që më kanë shoqëruar në rrugëtimin tim, Ardian Hila që më ka rritur me këngët e tij, Jorgo Papingji. Le të themi që çmimet e para kam marrë kurorën prej tyre”, tha Gaçe.
/rtsh.al/