E Diel, 1 Nëntor 2026

Aurela Gaçe në skenën europiane më 10 maj

Edicioni i 56-të i Festivalit Europian të Këngës (Eurovision Song Contest) do të organizohet në datat 10-14 maj në qytetin Dyseldorf të Gjermanisë. Dje u hodh shorti për 43 vendet pjesëmarrëse. Shqipëria që përfaqësohet nga Aurlea Gaçe me “Kënga ime”, fituese në Festivalin e 49-të në RTSH, do të ngjitet në skenë në natën e parë të Festivalit Europian,

bashkë me Turqinë, Finlandën, Armeninë, Zvicrën, Norvegjinë, Gjeorgjinë, Rusinë, Poloninë, Serbinë, Kroacinë, Azerbajxhanin, Lituaninë, Hungarinë, Maltën, San Marinon, Islandën, Portugalinë dhe Greqinë. Kurse në natën e dytë gjysmëfinale të 12 majit përpara jurisë do të dalin Holanda, Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Qiproja e Jugut, Austria, Suedia, Belgjika, Sllovakia, Moldavia, Izraeli, Maqedonia, Danimarka, Bjellorusia, Letonia, Bullgaria, Estonia, Rumania, Sllovenia dhe Irlanda. Këtë vit në edicionin e 56-të të Eurovizionit do të marrin pjesë edhe Italia, Austria dhe San Marino, vende këto që nuk ishin të pranishme në këtë eveniment prej shumë vitesh. Pas eliminimeve, në mbrëmjen finale për vendin e parë do të konkurrojnë gjithsej 25 vende. Gjithashtu, në ceremoninë e organizuar dje, një delegacion i ardhur nga kryeqyteti Oslo i Norvegjisë i dorëzoi kryetarit të Bashkisë Metropolitane të Dyseldorfit, Dirk Elbers, çelësin simbolik të Konkursit Europian të Këngës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›