E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindje-Perëndim-Lindje mbetet jashtë listës “Oskar”

Filmi “Lindje-Perëndim-Lindje” me regji të Gjergj Xhuvanit nuk do të shfaqet në ekranin e madh të Los Angelosit. Filmi që Qendra Kinematografike Shqiptare kishte dërguar si përfaqësues të kinematografisë shqiptare për çmimin “Oskar” nuk është përzgjedhur për të qenë pjesë e listës së ngushtë nga e cila do të dalin pesë filmat që do të garojnë për çmimin “Oscar”, për filmin më të mirë të huaj që ndan “Academy Award”. Bordi i Qendrës Kombëtare Kinematografike kishte marrë vendimin që ky film të garojë për të përfaqësuar shtetin shqiptar në edicionin e 83-të të festivalit më prestigjioz të filmit në botë. Ata kanë zgjedhur “Lindje ...”, teksa në konkurrencë ka qenë edhe filmi tjetër i prodhuar në vitin që shkoi, “Muaji i mjaltit”, me skenar të Genc Përmetit dhe regji të regjisorit serb Goran Paskaleviq. Filmi i Xhuvanit ka marrë çmimin special në edicionin e kaluar të festivalit ndërkombëtar të filmit në Prishtinë “PriFilmFest”, i vetmi çmim ndërkombëtar për të. Në 98 minutat e tij, filmi trajton aspektin e izolimit të Shqipërisë gjatë kohës së komunizmit. Një grup çiklistësh urdhërohet të marrin pjesë në një garë në Francë. Ekipi me në krye trajnerin (Ndriçim Xhepa) gjendet në Trieste të Italisë, ku ballafaqohet me një botë krejtësisht tjetër nga ajo prej nga vinin, përderisa në Shqipëri nis shembja e sistemit komunist. Në kohën kur shqiptarët ua mësyjnë ambasadave të huaja për të lënë Shqipërinë, reprezentacioni i çiklizmit vendos të kthehet në atdhe, ku has në peripeci të shumta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›