Inva Mula në Madrid, në 70-vjetorin e Plaçido Domingos
Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula është rikthyer në skenë në krah të Plaçido Domingos në Madrid. Tenori me famë botërore Plaçido Domingo në 70-vjetorin e tij ka ftuar miqtë e skenës operistike, mes tyre dhe sopranoja shqiptare. Në mbrëmjen Gala të zhvilluar në Teatrin Real, Plaza de Izabel II, në Madrid, ishin ftuar 20 këngëtarë lirikë, me të cilët tenori me famë botërore ka interpretuar në skenat botërore. U interpretuan 15 arie nga kompozitorët që kanë bërë historinë e muzikës operistike, si Mozart, Puçini, Verdi, Bellini etj. Ariet që u interpretuan ishin nga: “Faust”, “Puritani”, “Manon”, “Marriage of Figaro”, “La boheme”, “Otello”, “Traviata”, “Simón Boçanegra” etj. James Conlon, dirigjenti i operës së Los Angeles, drejtoi orkestrën në këto mbrëmje. "Ndihem shumë i lumtur, shumë me fat dhe shumë mirënjohës që festoj me miqtë e mi dhe me publikun i cili më ka nxitur në çdo hap të karrierës sime” - u shpreh Domingo nga kryeqyteti spanjoll. Në mbrëmjen Gala ka qenë e pranishme dhe mbretëresha Sofia e Spanjës. Koncerti u ndoq nga rreth 500 mijë spektatorë dhe nga shumë të tjerë që e ndiqnin atë përmes një ekrani gjigant të instaluar jashtë teatrit Real. Për gati 2 orë janë ngjitur në skenën e Madridit zërat më të njohur të skenës operistike në mbarë botën: sopranoja shqiptare Inva Mula, Deobrah Polaski, Angela Denok, Anja Kampe, Paul Groves, Bryn Terfel, Juan Pons, Dolora Zajick, René Pape, Sonya Jonçeva, Ana Maria Martinez, Erwin Schrott etj. Në koncertin Gala në Madrid Mula interpretoi arie nga opera “Traviata” dhe përsëriti suksesin e pak kohëve më parë me “Simón Boçanegra”, ku entuziazmoi sërish skenën dhe publikun jashtë teatrit Real në Madrid. Vetëm pak kohë më parë, e njëjta skenë dhe i njëjti publik do të duartrokisnin 20 minuta pa pushim Plaçido Domingon dhe Inva Mulën për interpretimin në operan “Simón Boçanegra”.
Plaçido Domingo është ai që i zbuloi botës zërin e mrekullueshëm të sopranos shqiptare. Ajo u shpall fituese në konkursin e parë për këngëtarë të operave, organizuar nga tenori spanjoll në Paris në vitin 1993. Pas këtij trofeu, asaj, Mulës iu hapën dyert e skenave më të famshme botërore, që nga La “Scala” Milano, Teatro Real, Madrid e deri në Metropolitan Opera në Nju-Jork. Edhe pse një mbrëmje e ftohtë, publiku qëndroi deri në fund jashtë teatrit, duke ndjekur koncertin dhe me duartrokitjet që vinin që nga brenda dhe jashtë teatrit ngrohën mbrëmjen e ftohtë madrilene. E në fund të 20 këngëtarët lirikë kënduan “Hapy Birthday zoti Domingo”. Por spektatori nuk donte të largohej nga teatri dhe ata që ishin jashtë vazhdonin të qëndronin në pritje të tenorit. Ky i fundit doli në Ballkonin e Teatrit dhe iu drejtua publikut: “Unë shpresoj që të jemi bashkë edhe kur të festoj 80-vjetorin, por tani ju lutem shkoni në shtëpi, sepse nuk dua që ndonjëri nga ju të sëmuret në këtë mbrëmje të ftohtë. Unë ju premtoj se do të rikthehem në skenën e operas për ju kur temperaturat të jenë më të larta” - iu drejtua ai publikut jashtë. Pavarësisht se çfarë këndon, Verdin apo Wagnerin, ariet operistike, apo këngët popullore, klasike, apo pop, zëri i Plaçido Domingos është i pakrahasueshëm dhe mbetet një nga zërat më të shquar të operas së shekullit të 20-të. Me zërin e fuqishëm dhe sensual ai mrekullon admiruesit e tij në mbarë botën. Gjatë karrierës së tij Domingo ka realizuar një repertor gati të pabesueshëm me rreth 135 role operistike. Në radhë të parë vepra të romantikës italiane dhe franceze, të Verdit, Puçinit, Mascagnit, Bizet, apo Massenet. Plaçido Domingo mban mbi supe 50 vite karrierë, ndërsa shkëlqimi i tij ka ardhur përherë e në rritje. Pak kohë më parë, ndërsa ai performoi “Simón Boçanegra”, publiku e duartrokiti për rreth 20 minuta pa pushim. Edhe në këtë sukses ai kishte në krah sopranon shqiptare Inva Mula, për të cilën u shpreh se është një nga zërat më të bukur lirik të skenës botërore. Ai u rikthye në skenë pas një pauze realativisht të gjatë për shkak të një sëmundjeje. Por përkrah sopranos Mula, ai shfaqet më në formë se kurrë dhe rikthehet në majë të karrierës së tij. Në botën anglo-saksone ai njihet si “Mbreti i tenorëve”.