Australia merr masa të forta për mbrojtjen e të miturve në internet, ndalon çdo rrjet social për fëmijët nën 16 vjeç! Vendimi hyn në fuqi më 10 dhjetor

Qeveria australiane ka publikuar listën zyrtare të platformave që ndalojnë aksesin për të miturit nën 16 vjeç. Ndër to përfshihen: Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, YouTube, Reddit, Kick.
Australia ka marrë një nga masat më të forta në botë për mbrojtjen e të miturve në internet, duke ndaluar aksesin në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç.
Vendimi erdhi nga Komisionerja e Sigurisë Elektronike, Julie Inman Grant, si përgjigje ndaj shqetësimeve në rritje për ndikimin e platformave dixhitale tek adoleshentët.
Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka filluar tashmë fshirjen e llogarive të përdoruesve australianë që nuk plotësojnë kushtin e moshës. Qindra mijëra adoleshentë kanë marrë njoftime se profilet e tyre do të hiqen deri më 10 dhjetor. Kompania ka kërkuar nga prindërit të verifikojnë datat e lindjes së fëmijëve dhe të mos ndihmojnë në anashkalimin e kufizimeve të reja.
Autoritetet theksojnë se metodat e mëparshme të përdorura nga të rinjtë për të shmangur kontrollet e moshës nuk do të funksionojnë më.
Qeveria australiane ka publikuar listën zyrtare të platformave që ndalojnë aksesin për të miturit nën 16 vjeç. Ndër to përfshihen: Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, YouTube, Reddit, Kick. Shërbime si WhatsApp, Messenger, Discord, Roblox dhe Twitch janë të përjashtuara nga rregulli.
Qeveria ka bërë thirrje që prindërit të marrin një rol aktiv në monitorimin e aktivitetit online të fëmijëve. Bashkëpunimi i familjeve shihet si thelbësor për zbatimin e masës dhe për parandalimin e përpjekjeve për anashkalim të rregullave.