Masakër në Gaza. Ushtria izraelite vret gabimisht katër fëmijë
Disa mjekë palestinezë thonë se një nënë dhe katër fëmijët e saj janë vrarë nga një predhë izraelite që goditi shtëpinë e saj në veri të Rripit të Gazës. Forcat izraelite nuk e kanë konfirmuar incidentin. Ata thanë se u sulmuan në këtë zonë, në qytetin e Beit Hanoun, gjatë një operacioni për të eliminuar snajperët që veprojnë pranë kufirit. Forcat tokësore izraelite hynë në Beit Hanoun, jo larg kufirit herët të hënën. Izraeli sulmoi mbi ata që i cilësoi si militantë që po përgatisnin sulme me raketa. Gjatë inkursionit, një raketë ra në çatinë e një shtëpie njëkatëshe. Një nënë dhe katër fëmijët e saj, dy vajza dhe dy djem nga mosha një deri në pesë vjeç u vranë, tha një mjek në një spital të zonës. Në një incident tjetër, janë vrarë dhe një militant palestinez dhe një bujk. Zona përdoret shpesh nga militantët palestinezë për të sulmuar me raketa Izraelin. Një vajzë 14-vjeçare u vra dhe tetë persona të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve mes forcave tokësore palestineze dhe militantëve palestinezë të dielën në Beit Lahiya. Të premten, lëvizja islamike palestineze "Hamas" propozoi një periudhë gjashtëmujore ‘qetësie‘, e cila në një fazë të mëtejme mund të përfshinte dhe Bregun Perëndimor. Izraeli e hodhi poshtë propozimin si dinakëri, e cila do ta lejonte "Hamas"-in "të riarmatosej dhe të rigrupohej".