Austri, Topi takon Fisherin për integrimin e Shqipërisë
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u prit dje pasdite nga Presidenti i Republikës Federale së Austrisë, Hajnc Fisher, në Pallatin Presidencial “Hofburg” në Vjenë. Gjatë takimit, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për të gjithë mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të Austrisë, sidomos në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si përparësi themelore e politikës së jashtme shqiptare, duke vënë në pah besimin se me përpjekje serioze e me ndihmën e partnerëve evropianë si Austria, vendi ynë do të mundë të marrë shumë shpejt statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve dhe nënvizuan vullnetin për t’i forcuar dhe intensifikuar më tej ato, si në planin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, por veçanërisht në drejtim të forcimit reciprok të dialogut politik.