PD-ja injoron paktin e Ramës: Enciklika letër për shoqen Rama
TIRANË Partia Demokratike nuk e ka marrë seriozisht ftesën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, për përmbushjen në mënyrë konsensuale të 10 çështjeve, që ai parashtroi në konferencën e djeshme për shtyp. Deputetja e PD-së, Adriana Gjonaj, deklaroi dje se kryetari i PS-së u përpoq vetëm të lante duart nga bllokimi i procesit të integrimit.
“Enciklika e sotme e Ramës është letër për shoqen Rama. Sot Rama u përpoq që të lajë duart si Pilati, pasi ai me bllokimin ka dëmtuar vendin në procesin e integrimit. Me veprimet e bëra, Rama tregon dëshirën e madhe për pushtet pa qenë i votuar nga shqiptarët”,- tha deputetja e PD-së, Gjonaj. Gjithsesi, ky reagim i Gjonajt është vetëm një reagim i bërë menjëherë pas ofertës së kreut të PS-së, kështu që duhet pritur si gjithmonë fjala e Berishës për të marrë vesh në të vërtetë qëndrimin e mazhorancës.