Austri, objektivi i sulmit nuk ka qenë Swift, por fansat

Lidhur me anulimin e koncerteve në Vjenë të këngëtares me famë botërore Taylor Swift, gazeta austriake Kronen Zeitung shkruan se nuk ishte artistja, por turma e fansave motivi i një sulmi të mundshëm terrorist, për të cilin u arrestua një 19-vjeçar dhe bashkëpunëtori i tij.
Sipas medias austriake i dyshuari kishte vjedhur materiale kimike për të prodhuar eksplozivë në një nga kompanitë ku kishte qenë i punësuar në Ternitz. Policia vijon hetimet nëse 19-vjeçari do t’i përdorte ato materiale për të ndërtuar një bombë, të cilën synonte ta shpërthente në koncertin e Swift.
I dyshuari ishte radikalizuar përmes internetit dhe vetëm pak javë më parë u betua për besnikëri ndaj organizatës terroriste Shteti Islamik. Ai kishte diskutuar planin përmes mesanxherit me një bashkëpunëtor, i cili gjithashtu u arrestua të mërkurën. Policia nuk ka dhënë asnjë informacion për identitet e dy të arrestuarve, por tha se aktualisht po kërkohet një i dyshuar i tretë lidhur me ngjarjen.
Incidenti çoi në një operacion në shkallë të gjerë duke përfshirë evakuimin e 15 mijë banorëve në Ternitz, ndërsa të tre koncertet e Taylor Swift të parashikuara për të enjtem, premten dhe të shtunën në Vjenë u anuluan.
Nëse radikalët do të kishin vënë në jetë planet e tyre, do të kishte qenë katastrofë me përmasa të paimagjinueshme, thanë autoritetet e Policisë në Vjenë, ndërsa i kërkuan ekzekutivit austriak zgjerimin e kompetencave në fushën e komunikimit online. “Rasti aktual tregon se komunikimi i njerëzve të rrezikshëm bëhet përmes kodeve, thanë ata.
/ rtsh.al /