Sherri në Kosovë – Masë arresti me burg për Noizy dhe DJ Crax, gati ekstradimi

Këngëtari i njohur, Rigels Rajku (Noizy) së bashku me DJ Crax, Bahtjar Bajraktari, u është caktuar masa e arrestit me burg, ndërsa pritet që të ekstradohen drejt Kosovës. Ata akuzohen për dhunën e ushtruar ndaj një shtetasi pak ditë më parë në Pejë.
Gjykata e Tiranës e ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e Noizy-t dhe Bajraktarit dhe ka caktuar masën e arrestit me burg “për qëllime ekstradimi të parashikuar nga nenet 238 dhe 493 te Kodit të Procedurës Penale”.
Noizy dhe Bajraktari u arrestuan nga policia, pasi ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës pas sherrit të ndodhur të qytetin e Pejës ku dyshohet se ka qenë pjesëmarrës në dhunën e ushtruar ndaj Muhamet Isenit, i njohur në “TikTok” si Medi, bashkë me mikun e tij Bekim Hardergjonajn.
Policia ra në gjurmët e dy personazheve të njohur pasi njësia “FAST Albania” mori informacion nga “FAST Kosova”, për këta 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.
Rigels Rajku u ndalua nga policia e Lezhës teksa po shkonte për të performuar në një klub nate mbrëmjen e së martës, ndërsa tashmë bashkë me DJ. Bajraktari do të ekstradohen për t’u përballur me drejtësinë atje.
Ndërkaq, policia ka shpallur në kërkim edhe reperin Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në sherrin e ndodhur pak ditë më parë në Pejë.
/rtsh.al/