Austria mbështet Kosovën në rrugët integruese

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga deputetët: Hydajet Hyseni dhe Blerta Deliu-Kodra, priti sot zëvendëskryetarin e Parlamentit Austriak, Fritz Neugebauer, i cili drejton një delegacion nga ky vend, në kuadër të vizitës që po i bën Kosovës.
Në emër të kryeparlamentarit Krasniqi dhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haziri i ka uruar mirëseardhje në Kosovë parlamentarit austriak dhe delegacionit që e kryeson. Ai e ka falënderuar shtetin dhe popullin e Austrisë për mbështetjen gjatë gjithë procesit të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës. Në vazhdim ka folur për punën e legjislativit të vendit, si dhe për aktivitetet e pritshme gjatë kësaj periudhe të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të vendit. Ai ka folur edhe për politikat institucioneve të Kosovës për integrimin e pakicave, si dhe për përfaqësimin mbiproporcional të tyre në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendëskryetari i Parlamentit Austriak, Fritz Neugebauer, duke shprehur kënaqësinë që gjendet për vizitë në Kosovë, u ka përcjellë kryetarit dhe deputetëve të Kuvendit përshëndetjet e kryeparlamentares austriake, Barbara Pramer dhe urimet e saj për suksese të popullit të Kosovës në rrugën demokracisë dhe të përparimit. Ai është shprehur i bindur se për marrëdhënie të mira ndërmjet vendesh e popujsh nuk mjaftojnë vetëm takimet e qeveritarëve, të ambasadorëve a të shoqërisë civile, por nevojiten, sidomos, takime sa më të shpeshta të përfaqësuesve të zgjedhur të tyre.
Duke e vlerësuar lartë rolin e pjesëtarëve austriakë në formacionet e KFOR-it, të vendosura në veri të Kosovës, të cilët janë përballur me sukses me revoltat e nxitura të serbëve atje, deputeti Hydajet Hyseni ka theksuar synimin e përhershëm të institucioneve të Kosovës për të vënë rend dhe rregull në gjithë territorin e Kosovës, për demokratizimin dhe për evropianizimin e vendit.