Shkup, alarm për dhunë ndaj të burgosurëve të operacionit “Monstër”

Ankesat e familjeve se ndaj të paraburgosurëve në operacionin “Monstër” është ushtruar dhunë në burgun e Manastirit, ka nxitur reagime.
Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti ka theksuar se ndaj dy të burgosurëve është ushtruar dhunë dhe tortura. “Tek dy persona është konstatuar dhunë që kanë pasuar me dëmtime në trup në burgun e Manastirit”, ka deklaruar Mehmeti, duke shtuar se me këtë rast pritet të ngritet padi penale për ushtrim dhune gjatë ushtrimit të detyrës nga ana e zyrtarëve të policisë së burgut.
Shqetësimet lidhur me ushtrimin e dhunës janë shprehur edhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Amnesty International pritet të informohet lidhur me rastin e ushtrimit të dhunës ndaj të arrestuarëve të operacionit “Monstra” që gjendjen në burgun e Manastirit.
Organizata për të drejtat e njeriut IGFM në Maqedoni ka paralajmëruar se do të informojë instancat ndërkombëtare dhe organizatat e ndryshme për ushtrim dhune ndaj të paraburgosurëve, të cilët janë të arrestuar si persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.
Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti theksoi se është informuar mbi pohimet e Avokatit të Popullit dhe se do të shqyrtohet rasti. Sipas ministrit Bexheti, në rast se do të konfirmohet se është ushtruar dhunë ndaj të paraburgosurëve, atëherë do të ketë dënime të ashpra ndaj personave përgjegjës.
Ndërkohë, nga burgu i Manastirit për mediat maqedonase është thënë se janë të pavërteta pohimet se është ushtruar dhunë ndaj të paraburgosurëve.
Shqetësimet lidhur me këtë rast janë shprehur edhe nga faktorët ndërkombëtarë në Maqedoni, që kanë apeluar për një proces të drejtë hetimor dhe gjyqësor për rastin e vrasjes së pesëfishtë dhe akuzat e MPB-së ndaj një grupi shqiptarësh që i akuzon si të dyshuar për kryerjen e vrasjes së pesëfishtë.
Në burgun e Manastirit janë të vendosur në paraburgim 30 ditor, tre të dyshuarit kryesor sipas MPB-së për vrasjen e pesëfishtë