Austria nuk merr më gaz rus – Gazprom ndërpreu furnizimin, mosmarrëveshje me kompaninë austriake OMV

Rusia njoftoi Austrinë se nga kjo e shtunë ka ndaluar dërgesat e gazit përmes Ukrainës, një zhvillim që sinjalizon se po i vjen fundi furnizimit të Evropës me gaz rus. Ndërprerja e furnizimit me gaz nënkupton se Rusia tani do të mund të furnizojë me sasi të mëdha gazi vetëm dy vende evropiane, Hungarinë dhe Sllovakinë.
Para se ta niste pushtimin e Ukrainës më 2022, Rusia plotësonte 40 për qind të nevojave të furnizimit me gaz në Bashkimin Evropian. Kancelari austriak Karl Nehammer tha se njoftimi i Gazprom për ndalimin e furnizimit me gaz pritej prej kohësh, ndaj Austria ka marrë masat e duhura. “Asnjë shtëpi nuk do të ndjejë të ftohtin këtë dimër. Depozitat tona të gazit janë plot dhe ne kemi kapacitete të shumta për të marrë gaz nga rajone të tjera”- tha Nehammer, duke shtuar se Austria nuk mund të shantazhohet.
Duke reaguar për këtë situatë, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha tha se veprimi i Rusisë tregoi se Moska po përdor edhe një herë energjinë si armë. Epoka e Evropës që mbështetet në gazin rus ka përfunduar”,- tha ai. Austria ishte vendi i parë nga Evropa perëndimore që filloi të blinte gaz nga Bashkimi Sovjetik më 1968. Importet e gazit të Austrisë nga Rusia po ndërpriten pas një mosmarrëveshjeje kontraktuale mes kompanisë ruse Gazprom dhe asaj austriake OMV.
/RTSH/