Zelensky: Lufta do mbarojë më shpejt me zgjedhjen e Trump president

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se ai është i sigurt se lufta me Rusinë do të “mbarojë më shpejt”, pasi Donald Trump të betohet si president i SHBA-së.
Zelensky tha se kishte një “shkëmbim konstruktiv” me Trump gjatë bisedës së tyre telefonike pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Zelensky nuk u prononcua nëse Trump kishte bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë, por tha se nuk “kishte dëgjuar asgjë nga ai që ishte në kundërshtim me qëndrimin e Ukrainës”.
“Është e sigurt se lufta do të përfundojë më shpejt me politikat e ekipit që tani do të udhëheqë Shtëpinë e Bardhë. Kjo është qasja e tyre, premtimi i tyre ndaj qytetarëve të tyre”, tha Zelensky në një intervistë për median ukrainase Suspilne.
Ai shtoi se Ukraina “duhet të bëjë gjithçka që kjo luftë të përfundojë vitin e ardhshëm, të përfundojë me mjete diplomatike”.
/rtsh.al/