Austriakët pranojnë, shpata e përkrenarja 3-6 muaj në Tiranë

Shpata dhe Përkrenarja e Skënderbeut në Muzeun e Vjenës
Simbolet e Skënderbeut do ekspozohen në Muze.
Në mungesë të kushteve të favorshme, bashkë me objektet do të vijë edhe infrastruktura.
Pas më shumë se 4 shekujsh, përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut kthehen në atdhe. Por vetëm për pak, tre deri në gjashtë muaj, nëse interesi i publikut ndaj tyre do të jetë i madh. Pas shumë premtimesh, duket se më në fund në Tiranë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, do të mbërrijnë nga Vjena simbolet e Heroit Kombëtar. Për të parë terrenin dhe për t’u siguruar se objektet do të ruhen në kushte optimale gjatë vizitës së shkurtër, mbërriti në Tiranë një delegacion prej 3 drejtuesish të Kunst Historisches Museum (KHM) në Vjenë. Me të mbërritur në Tiranë, ata kanë vizituar Muzeun Historik Kombëtar, për të parë vendin më optimal për vendosjen e përkrenares dybrirëshe dhe shpatës. Sigurisht që me të hyrë në MHK nuk ishte e vështirë për t’u kuptuar se në të mungonte ajri i kondicionuar, megjithatë kjo nuk do ta pengojë ardhjen e tyre në Shqipëri. Bashkë me to do të udhëtojë për në Tiranë edhe infrastruktura e duhur për ekspozim, që do të instalohet në pavijonin e Mesjetës. Pas këtij inspektimi, delegacioni u prit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga ministri Bumçi. Shpatat dhe përkrenarja e Skënderbeut gjenden në Austri prej shek. XVI (në vitin 1590 përkrenaren dhe njërën shpatë e kishte në zotërim konti Wolfang i Stunbenbengut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeun e Armëve të arkidukës Karl i Stirisë, biri i perandorit të Gjermanisë në Gratz (Austri). Ato u bashkuan me urdhër të arkidukës Ferdinand i Tirolit, duke u vendosur në muzeun e ngritur në Ambras pranë Tirolit.
Infrastruktura me vete

Christian Beaufort dhe Luan Malltezi, drejtori i MHK
Pas takimit me dyer të mbyllura në MTKRS, kreu i delegacionit dr. Christian Beaufort, kuratorja Sylvia Ferino dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Luan Malltezi, patën një komunikim për mediat në lidhje me kushtet dhe mënyrën e ekspozimit. “Jemi këtu për të parë kushtet ku do të ekspozohen objektet. Çdo gjë është në rregull dhe mund ta krijojmë këtu mjedisin e përshtatshëm për ekspozimin e tyre, por për këtë do të sjellim nga Vjena një vitrinë të posaçme për sigurinë dhe kushtet klimaterike”, tha Beaufort. Sa i takon kohës së qëndrimit në Tiranë, kreu i delegacionit tha se “ne mendojmë që reliktet të qëndrojnë këtu 3 muaj, por nëse ekspozita do të ketë një sukses të madh, mund të shohim mundësinë të qëndrojnë 6 muaj”. Ndërkaq, në Muzeun Kombëtar do të nisë puna për përgatitjen e kësaj ekspozite, e cila pritet të hapet rreth muajit tetor. “Qeveritë shqiptare ndër vite kanë kërkuar ekspozimin e relikteve të Skënderbeut në Shqipëri, por ja që ato

Delegacioni austriak në pavionin mesjetar në MHK
mundën të vijnë në këtë 100-vjetor të pavarësisë. Është e natyrshme që ekspozimi i tyre kërkon kushte, të cilat do të sigurohen nga Vjena. Një vitrinë e posaçme do të vijë për ekspozimin e objekteve”, tha drejtori i MHK-së, Luan Malltezi. Sa i takon kostos së gjithë këtij procesi, ku përfshihet rrugëtimi, masat e sigurisë dhe ekspozimi, Malltezi nuk thotë dot një shifër të saktë, përveç faktit që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga qeveria shqiptare.
Një portret origjinal
Bashkë me objektet, që mendohet se janë përdorur nga Gjergj Kastriot Skënderbeu, do të vijë edhe një portret origjinal, mesjetar i heroit. Specialistja Sylvia Ferino, drejtorja e “Gemäldegalerie” në Vjenë thotë se në këtë muze janë 4 syresh, në një kohë që në Shqipëri nuk ka asnjë të tillë. “Ne kemi disa portrete origjinale të Skënderbeut, që i përkasin shekullit XVI dhe këtu nuk shoh të ketë të tilla, nuk di nëse mund të ketë në Krujë. Po mendojmë që njërin prej tyre ta sjellim në Tiranë. Është portret i një artisti anonim, por që për ju mund të jetë shumë me vlerë ta shihni. Është kjo një ndër 4 tablotë e Heroit tuaj Kombëtar, që gjendet në muzeun tonë dhe është pjesë e koleksionit të Habsburgëve. Ndër 7 mijë pikturat e koleksionit, 4 portretizojnë këtë atlet të krishterimit, por jo të gjitha mund të vijnë këtu, sepse disa prej tyre janë të brishta”, tha ajo, ndërsa nuk ngurroi të vlerësonte pavijonin e Mesjetës, ku do të vendosen objektet. Pas inspektimit të MHK-së, specialistët austriakë do të vizitonin edhe Muzeun Kombëtar të Krujës.
Përkrenarja e dhuruar nga Papa në 1466-n
Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV). Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit). Sipas specialistëve, ky rreth qarkues mund të jetë vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit. Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937-n nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës. Sipas dokumenteve të pakta që na vijnë deri në ditët tona, Papa Pali II i dhuroi Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466 një shpatë dhe një kësulë.Shpata
Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit, është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar. Është e gjatë 85.5 cm, e gjerë 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg. Ka mill lëkure. Sipas Faik Konicës, i cili e vëzhgoi në fillim të shekullit XX, në trupin e saj shiheshin ende njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij, Karli (Gratz), ka trup të harkuar. Së bashku me dorëzën është 121 cm e gjatë dhe peshon 3,2 kg. Palla është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente (damaskine, ashtu siç shkruan Dhimitër Frëngu). Ka një mbishkrim turqisht, i cili, sipas F. Konicës, nuk është korrekt. Mbishkrimi mban emrin e Skënderbeut: Libehadur Allah Iskander beg- Kampion i Perëndisë, Skënderbeu. Po sipas Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Dorëza e larë në argjend dhe milli i veshur me kadife janë të një kohe të mëvonshme. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për Muzeun e Tiranës të paraluftës.
ALMA MILE