E Hënë, 2 Nëntor 2026

Autizmi sfidon barrierat duke “lumturuar dhimbjen”, të rinjtë vlerësohen për arritjet e tyre falë terapisë

Janë të rritur me çrregullim të spektrit autik që sot po lumturojnë prindërit e tyre me sukseset e arritura në përfundim të vitit të tyre terapeutik.

10 të rinj në spektër të autizmit u vlerësuan me certifikata mirënjohjeje për hapat e tyre të vegjël të suksesit drejt aftësimit, duke lumturuar prindërit dhe duke i bërë krenarë ata.

“Fokusi i këtij aktiviteti janë të rinjtë që kanë mbaruar vitin terapeutik për të përjetuar nënat një emocion të bukur, sikurse të gjithë fëmijët e tjerë që marrin diploma në shkollat e tyre. Sot ne ideuam që të marrin këta fëmijë një certifikatë me titullin “Krenar për ty”. Gjithashtu kremtojmë sot mirënjohjen për të gjithë ata që kanë kontribuar në të gjitha format, qoftë monetare, fizike, materiale, qoftë edhe me sensibilizim”, u shpreh Brixhida Muça nga Qendra “Lumturo Dhimbjen”.

“Është nder dhe privilegj për mua të qëndroj këtu para jush dhe të ndaj certifikatat për çdo arritje të këtyre fëmijëve, sepse unë vetë jam nënë e një djali të prekur nga çrregullimet e autizmit dhe e di që çdo arritje e vogël në fakt është një sukses i madh dhe pas çdo arritjeje fshihet një punë shumë, shumë e madhe nga të gjithë”, tha Florinda Zegullai, përfaqësuese e nismës “Lumturo Dhimbjen” në Korçë.

Në formën e tyre më të bukur, ata i shprehën mirënjohjen të gjithë atyre që i kanë mbështetur në rrugëtimin e vështirë të aftësimit në jetën e përditshme, shkollimit dhe integrimit në shoqëri.

Të mbledhur në familjen e madhe dhe të vetme në vend për moshat e rritura me autizëm, “Lumturo Dhimbjen”, të rritur me autizëm, prindër, terapistë dhe media festuan forcën e dashurisë dhe bujarisë, e cila sado e vogël sjell gëzime të mëdha në familjet e tyre.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›