E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapitulli i ri

Të enjten në Drenas, Ministria e Sportit filloi ta realizojë projektin e ndërtimit të gjashtë fushave ndihmëse të futbollit, të financuara nga Komisioni Evropian, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh. Udhëheqës të këtyre dy institucioneve thanë se me ndërtimin e këtyre fushave, po e hapin një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar.

Të enjten Ministria e Sportit filloi ta realizojë projektin e ndërtimit të gjashtë fushave ndihmëse të futbollit në gjashtë komuna të Kosovës, të financuara nga Komisioni Evropian, në vlerë prej 3.5 milionë eurosh.

Realizimi i këtij projekti filloi në mënyrë ceremoniale në Drenas, ku do ta përfitojë një fushë të tillë, derisa nga një ‘dhuratë’ e ngjashme do t’i takojë edhe Mitrovicës, Pejës, Gjakovës, Ferizajt e Gjilanit.

Në këtë ceremoni, përveç ministrit të Sportit, Memli Krasniqi, kanë marrë pjesë edhe shefi i operacioneve në Komisionin Evropian, Christof Stock, kreu i Federatës së Futbollit, Fadil Vokrri, kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku etj.

Të gjithë ata fillimin e realizimit të këtij projekti, duke u nisur nga Drenasi për të vazhduar më pas në pesë komuna tjera, e konsideruan si një ngjarje historike për futbollin kosovar. Ata shprehën kënaqësinë që tashmë nisën ta realizojnë projektin, të cilit shpresojnë që futbolli i Kosovës t’ia shohë hairin.

Ky projekt, në të cilin për disa muaj ministri Krasniqi kishte insistuar në Komisionin Evropian që të realizohej, përfshin ndërtimin e gjashtë fushave sipas standardeve të FIFA-s, me bar artificial (fusha sintetike), derisa konsiderohet si një nga projektet më të mëdha që është realizuar ndonjëherë në sportin kosovar. Ndërtimi i një fushe të tillë do të kushtojë gjysmë milioni euro.

Vokrri: E enjtja historike

Fillimi i realizimit të projektit për ndërtimin e gjashtë fushave ndihmëse nëpër Kosovë, gjë që filloi me një ceremoni të organizuar të enjten në Drenas, po vlerësohet si ngjarje historike nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.

“Për futbollin e Kosovës kjo ditë është tepër me rëndësi e mbase edhe historike, për faktin se me vënien e gurthemelit të fushës së futbollit në Drenas, edhe praktikisht nis realizimi i projektit të madh për ndërtimin e gjashtë fushave të futbollit në mbarë Kosovën me standarde evropiane”, thuhet në një deklaratë që Vokrri ua ka përcjellë medieve.

“Futbolli i Kosovës me vite vazhdon të vuajë mungesën e fushave të mirëfillta dhe ndërtimi i tyre është sihariqi më i mirë për ne në këtë fundvit, dhe vjen përpara 14 dhjetorit, ditë kjo që ne presim që Kosovës përfundimisht t’i hapen dyert drejt zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare”, ka potencuar Vokrri i cili e ka falënderuar ministrin e Sportit, Memli Krasniqi, të cilin e konsideron si njeriun më meritor që e ‘shpëtoi’ futbollin kosovar me këto gjashtë fusha.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›