E Diel, 1 Nëntor 2026

Autogoli im vlejti 300 mijë euro

Ndeshja Bari-Leçe 0-2

Ish-mbrojtësi i Barit pranon se trukoi sfidën kundër Leçes sezonin e kaluar.

Arrestohet edhe një shqiptar, mik me disa lojtarë të Barit.

Një tjetër stuhi skandali ndeshjesh të shitura ka përfshirë futbollin italian. Policia vendëse ka arrestuar lojtarin e Atalandës, Andrea Masielo, që ka pranuar se ka trukuar sfidën  midis Barit dhe Leçes, të 15 majit të 2011, të Serisë A.
Hetuesit italianë e akuzojnë futbollistin se ka ndikuar në 5  ndeshjet e fundit të skuadrës bareze, që tashmë kishte rënë nga kategoria, duke u shitur informacione grupeve kriminale. Në burg përfunduan edhe dy miq të lojtarit, Xhovani Karela dhe Fabio Xhiakobe, që konsiderohen si bashkëpunëtorë të disa ndeshjeve të Barit në kampionatin e kaluar në Serinë A. Në hetim janë 20 persona. “Po, është e vërtetë. Unë bëra me qëllim autogol për të fituar para”, ka pranuar lojtari përpara hetuesve. Sipas këtyre të fundit, nga sfida me Leçen ai ka futur në xhep 300 mijë euro.
Hetimet – Prokurori i çështjes Antonio Laudati tregon se për ndeshjen Bari-Leçe janë përdorur si garanci çeqe, që më pas u konvertuan në para. “Bastexhinjtë, pjesë e grupeve të krimit të organizuar, vinin bast në tri rezultate, 1, X, 2. Ky është një sistem për të ricikluar paratë e pista dhe shërbeu për të kushtëzuar rezultatet e ndeshjeve. Mund të fitohet shumë dhe rrezikohet pak, sa i përket anës ligjore”, shtoi prokurori. Ai tregon se hetimi nisi pas një sinjalizimi për takimin Bari- Livorno, të përfunduar me rezultatin 4-1, të Kupës së Italisë, dy vjet më parë. “Gjatë pushimit, u hodhën një numër i madh bastesh, e kjo bëri që ne të hetonim lëvizje bankare, por edhe regjistrimet telefonike. Aty arritëm të zbulonim se disa lojtarë binin dakord me të tjerë ose me persona të tretë, për të ndikuar rezultatin e ndeshjes. Por janë bastexhinjtë e jashtëm që drejtojnë mekanizmin e basteve”. Një tjetër çështje është presioni i disa tifozëve, për të lënë takimin me Çezenën, pasi ata kishin hedhur baste. Sakaq, Prokuroria e Barit ka përfshirë edhe një shqiptar në hetimet që po zhvillon. Ai është Armand Caca, i cili dyshohet se ka qenë një nga njerëzit që ndikonte te futbollistët, si dhe ka përfituar financiarisht. Përveç tij, në hetim janë edhe 20 persona të tjerë. Hetuesit italianë dyshojnë se ata kanë kryer veprën penale të mashtrimit sportiv, me përfitim financiar. Futbolli italian këtë vit është tronditur nga arrestimet dhe skandalet sa i përket trukimit të ndeshjeve, por kjo është hera e parë që përfshihet një shtetas shqiptar.

9 lojtarë nën akuzë
Prokuroria e Italisë ka prova e janë 5 ndeshje të trukuara, ndërsa përveç tri arrestimeve, po heton 20 persona. Dhe 9 prej tyre janë lojtarë që kanë luajtur për Barin sezonin e kaluar. Në këtë hetim tregohen ndeshje ku është provuar trukimi i rezultatit. Ka çeqe që më pas janë kthyer në para, pra kemi prova. Takimi Bari-Leçe është ndeshja e vetme ku nuk ka gjurmë bastesh, por ka të bëjë me një lëvizje parash mes një shoqërie dhe disa lojtarëve të federuar”, – tha prokurori Antonio laudati. Ndërkohë që ndeshjet e tjera që dyshohen si të trukuara, janë Bari-Xhenoa 3-0, Udinese-Bari 3-3, Çesena-Bari 1-0 dhe Bolonja-Bari 0-4.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›