E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rubio: Sdorëzohem, në Vlorë dua finalen

Hulian Rubio

Tirana/ Shpërthen trajneri spanjoll: Do të luftoj për të dy trofetë në lojë.

“Europa e sigurt, por unë dua që t’ju jap shumë më shumë”

Hulian Rubio nuk mban më. Problemet e shumta që ekipi i tij po kalon dhe humbja në Ballsh, kanë bërë që trajneri të shpër-thejë. Spanjolli, gjatë një interviste të dhënë dje për mediat, ka prekur pak nga të gjitha, duke filluar nga shkaqet e dëmtimeve, ka folur për rivalët, por edhe për objektivat e skuadrës së tij. Ai e thotë hapur që nuk ka ndër mend të heqë dorë nga kupa, ndonëse në kampionat gjithçka po vështirësohet. E kësisoj, në Vlorë pritet që të shkojë vetëm për të fituar, ndonëse edhe këtë herë mungesat dominojnë. Frikë nuk ka askënd, as Teutën dhe aq më pak Skënderbeun, ndonëse durrsakët i vlerëson pa masë, madje nuk ngurron që t’u thurë edhe “elozhe”.
Humbje e hidhur në Ballsh, çfarë ndikoi?
Shumë shije të hidhur dhe besoj se në atë disfatë ndikuan pak nga të gjitha. Terreni i rënduar e aspak ideal për të luajtur, si edhe mungesat e shumta e forca e kundërshtarit.
Teuta rifutet në lojë për titullin, a ju duket më e vështirë rimarrja e kreut tashmë?
E kam thënë që Teuta ka qenë gjithnjë aty, kurrë nuk ka ikur. Është një ekip i mirë me shumë alternativa dhe e ka dëshmuar në të gjithë sezonin. Gëzohem që kjo skuadër është aty, preferoj atë sesa ndonjë tjetër. Megjithatë, ne jemi të dytët, përpos problemeve, jemi vetëm -1 larg kreut.
Dëmtime të shumta, është fat i keq, rastësi apo mbingarkesë?
Mendoj se është mbingarkesë, që e kam shpjeguar edhe më parë. Lojtarët i kanë kaluar normat dhe kanë nevojë për pushim.
Përpara është Flamurtari, një ndeshje në transfertë. Me një ekip me mungesa, duhet të presim humbjen e radhës?
Në mendjen time nuk bën pjesë kurrë humbja, ndoshta të tjerët janë pesimistë, por unë jo. Por, para se të luaj, nuk e llogaris humbjen.
Është gati Tirana të heqë dorë nga kupa për të përballuar kampionatin?
Do të kontestoj në këtë pikë, pasi në mentalitetin tim që është i ndryshëm nga juaji, asnjë ekip, në asnjë vend të botës, nuk mendon kështu: të heqim dorë nga një trofe për të përballuar tjetrin. Kurrë nuk ndodh. Vetëm këtu e kam parë, ndaj mos kërkoni që unë të dorëzohem, pasi nuk do ta bëj kurrë. Kam provuar që në fillim që, edhe me ekipe shumë inferiore, kam luajtur me 11-shen më të mirë. Mua më pëlqen të konkurroj dhe gjithë jetën time këtë kam bërë.
Mister, sikur ju ka rënë paksa entuziazmi, e vërtetë apo…?
Jo, jo, mua nuk më ka rënë entuziazmi. Me Vllazninë zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe meritonim fitoren. Unë jam gjithnjë i njëjti: serioz, i kuptueshëm dhe i vendosur për ta çuar punën time deri në fund. Mirëpo sa në Shqipëri, nuk kam dëgjuar kurrë termin kaq shumë. Kurrë s’kam dëgjuar të flitet për ato çka unë kam thënë, problemet dhe grupin e cunguar që kam në dispozicion dhe që do të vinin kohëra të vështira dhe kjo po ndodh tani.
Mos ndoshta nuk ju kanë dëgjuar drejtuesit?
Nuk kanë dëgjuar ata që nuk kanë dashur të dëgjojnë.
Tirana do vazhdojë të luajë në dy fronte?
Ne jemi këtu në garë për të dy trofetë, të arrijmë finalen dhe t’i kalojmë me sukses ndeshjet e mbetura të këtij sezoni. Arrijmë apo jo diçka në fund, për një gjë të jeni të sigurt, që Evropën e kemi kapur. Kush e priste këtë para se të fillonte kampionati?! Besoj askush, të paktën duke e ditur si ecin gjërat këtu.
Kujt i druheni më shumë, Skënderbeut apo Teutës?
Frikë nuk kam askënd, më të rrezikshëm nuk di kush janë, të paktën duke parë si funksionojnë gjërat. Mua më pëlqen rivaliteti me më shumë se dy skuadra, kjo e bën më të bukur lojën.

Superiore/ Shkumbini fundos Pogradecin
Shkumbini ka përmbysur liqenorët në fraksionin e dytë të ndeshjes përmbyllëse të javës së 19-të. 45 minutat e para kanë kulmuar me golin “in extremis” të Lartit, për Pogradecin, i cili, të vetmin rast të rrezikshëm në prapavijën bardhekltër, e ka kthyer në gol. Një rivënie pa pretendime nga vija anësore, e ka dërguar topin te korçari i liqenorëve, i cili, duke shfrytëzuar edhe pakujdesinë e mbrojtjes vendëse, që priste vërshëllimën e gjyqtarit. Në pjesën e dytë ishte i pritshëm reagimi i Shkumbinit, i cili erdhi në minutën e 62-të me anë të Mustafajt. Tri minuta më vonë vjen edhe përmbysja, falë golit të Dervishit. Me këtë fitore peqinasit konsolidojnë vendin e 8-të me 26 pikë, ndërsa Pogradeci mbetet në vendin e 13-të me 14 pikë.

Portieri Ujkani “në bisturi”, mbyll sezonin
Samir Ujkani duket se e ka mbyllur përfundimisht sezonin me skuadrën e Novarës. Sipas informacioneve që vijnë nga mediat italiane, portieri i Kombëtares shqiptare do të operohet në krah dhe me shumë gjasa nuk do të mund të zbresë më për 2011-2012 në fushën e lojës. Në takimin e fundit në “Olimpiko” ndaj Romës, Ujkani u dëmtua rëndë në krah dhe u detyrua që të linte fushën e lojës gjatë pushimit të ndeshjes. Në minutën e 29-të të takimit, portieri kuqezi, në një duel me sulmuesin e Romës, Osvaldo u dëmtua në krahun e djathtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›