Peshkatarët: Rojet greke na kërcënojnë në ujërat tona

Takimi i djeshëm i zhvilluar mes peshkatarëve dhe kreut të Kapitanerisë së Portit të Sarandës, Gjin Nikollaj, për shqetësimet që u krijon pala greke gjatë peshkimit në ujërat e Jonit
Kapiteni i Portit: Do njoftoj dhe kryeministrin. Ju jeni në shtëpinë tuaj.
Kufitarët helenë zbatojnë hartën e marrëveshjes së rrëzuar.
Patrullat greke detare kërcënojnë e penalizojnë peshkatarët shqiptarë edhe në brendësi të ujërave territoriale, pjesë e Republikës së Shqipërisë. Pala greke, duke konsideruar si fakt të kryer “Marrëveshjen e Ujërave Detare”, e rrëzuar në fakt 2 vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese, ka krijuar problem, duke e shtyrë kufirin në thellësi të ujërave tona. Peshkatarët sarandjotë kërkuan dje publikisht ndihmë nga drejtuesit e Kapitanerisë, për të shmangur incidentet e ndodhura herë pas here, të cilat kanë shtuar ndjeshëm frikën në radhët e peshkatarëve sarandjotë. Sipas tyre, rojat kufitare detare greke reagojnë përmes formave të ndryshme kërcënuese. Madje, disa vite më parë, ata pohojnë se janë qëlluar deri edhe me armë. Tashmë, duke shfrytëzuar “hartat e reja”, pala greke i kërcënon me penalizime duke i sekuestruar të mjeteve lundruese apo më keq akoma me arrestime. Frika e tyre i ka shtyrë peshkatarët të kërkojnë mbrojtje nga autoritetet e policisë kufitare të Sarandës. Në një takim të organizuar në Kapitanerinë e Portit, peshkatarët kanë kërkuar të njihen me hartat ku duhet të peshkojnë brenda ujërave territoriale shqiptare. Të gjendur përballë faktit të kryer dhe mungesës së mbrojtjes institucionale shtetërore, ata i kërkuan takim shefit të Kapitanerisë së Portit të Sarandës, Gjin Nikollaj, për të bërë publik shqetësimin e tyre. Me tone mjaft revoltuese, peshkatarët theksuan problemin, duke pohuar se po bien pre e kërcënimeve për të gjuajtur, qoftë edhe në ujërat shqiptare nga ana e policisë detare greke. “Duam të dimë se ku është zona jonë e gjuetisë. Siç u paguajmë taksat, ashtu kërkojmë edhe ndihmën, kur është nevoja. Të na jepet harta, sa është sipërfaqja e gjuetisë nga Palermo, nga Qefali, nga Ksamili apo edhe në Bukë të Vivarit”, iu drejtuan dje ata shefit të Kapitanerisë së Sarandës,
Gjin Nikollaj. Peshkatarët kërkuan që të ndihmohen që për zgjidhje të problemit të tyre të takohen me Kapitanerinë dhe policinë kufitare greke. “Ju keni të drejtë të shqetësoheni. Ky është problem me të vërtetë shqetësues për jetën tuaj dhe keni shumë të drejtë. Se kësaj i thonë të jesh në shtëpinë tënde dhe të të bërtasë komshiu. Është e nevojshme që të gjithë pronarët e peshkarexhave të pajisen me harta kufitare. Do të kërkoj me insistim që në Kapitanerinë e Portit të Sarandës të instalohen sa më shpejt sisteme të identifikimit të mjeteve lundruese me qëllim orientimin e peshkatarëve për të mos kaluar kufirin e përcaktuar për peshkim. Për shqetësimin tuaj do të vë në dijeni nëse do të duhet edhe vetë kryeministrin”, u shpreh Nikollaj në takimin e djeshëm. Ai u kërkoi peshkatarëve të informojnë Kapitanerinë me shkrim për çdo incident që u ndodh gjatë peshkimit dhe jo të mbesin në fazën e fjalëve mes tyre. Sipas peshkatarëve, sistemi identifikues grek përmes radarëve penalizon mjetet lundruese shqiptare me gjobë deri në 20 mijë euro ose sekuestrim të mjetit lundrues. Në Portin e Sarandës janë të licencuara 40 mjete lundruese për peshkim, prej të cilave 13 janë të kapaciteteve të mëdha që depërtojnë në thellësi të ujërave të Jonit.
Situata, njoftohet Policia e Shtetit
Nga ana e tij, shefi i Kapitanerisë së Portit të Sarandës, Gjin Nikollaj, u dha të drejtë peshkatarëve ndërsa u theksoi se për këtë problematikë do të mbërrijë në Sarandë një grup specialistësh i Policisë së Shtetit. “Shqetësimi juaj ka alarmuar edhe Policinë e Shtetit, e cila planifikon që së shpejti të dërgojë në Sarandë një grup ekspertësh të saj për të parë nga afër gjendjen”, u shpreh shefi i Kapitanerisë së Portit.Kushtetuesja
Në janar të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi marrëveshjen për përcaktimin e kufijve detarë me Greqinë. Anëtarët e saj vendosën unanimisht për ta cilësuar këtë marrëveshje të papajtueshme me kushtetutën. Sipas vendimit, në tekstin e marrëveshjes u konstatuan shkelje proceduriale dhe thelbësore që bien në kundërshtim me kushtetutën dhe konventën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për të drejtën e detit të vitit 1982. Kjo marrëveshje u nënshkrua mes Shqipërisë dhe Greqisë në prill të vitit 2009. Eskpertë reaguan, duke ngritur zërin pasivisht kundër kësaj marrëveshje, sipas së cilës vendi ynë humbtte qindra kilometra sipërfaqe detare.
SARANDE/ SHPRESA DINE