E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Autonomia” universitare dhe arnimet nënligjore.

Fjala “autonomi”, që buron nga greqishtja e lashtë, kohë në të cilën u konceptua edhe termi “demokraci”, i referohet një gjendjeje, në të cilën personi ose grupi apo institucioni etj., është i pavarur, i lirë dhe vetëqeverisës. Shpeshherë, nëpër kronika apo emisione, që kanë pasur në fokus menaxhimin e resurseve në arsimin e lartë, është folur me superlativa për përpjekjet e qeverive ndër vite dhe ministrive respektive të Arsimit dhe Shkencës, për dhënien e autonomisë së plotë universiteteve publike në Tiranë e rrethe. Megjithatë, prapa fasadave mediatike dhe ligjeve gjysmake dhe evazive, fshihet një realitet krejt tjetër. Këtë realitet të hidhur dhe shumë pak të njohur nga taksapaguesit shqiptarë dhe studentët, personalisht preferoj ta quaj “arnim nënligjor”.

Pa dyshim që po të kthehesh në kohë, shumë lehtë të vijnë ndër mend kronika e shkrime në të përditshmet apo edicionet informative, ku rektorë e dekanë jepnin alarmin për ngërçet e formuara nga mungesa e bashkëpunimit me qeveritë e djathta apo të majta si dhe staniacioni i krijuar për shkak të mosvetëqeverisjes së universiteteve. Megjithatë, duke pasur parasysh thënien e vjetër popullore ku doktori të pyet si je e jo si ke qenë, po fokusohem në periudhën e Sistemit të Bolonjës.

Siç dihet nga gjithkush tashmë, më 21 maj 2007, hyri në fuqi ligji Nr. 7941 ose “Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar. Pas një beteje gati 2-vjeçare me përfaqësuesit e universiteteve publike, me gjithë kontestimet e tyre për ambiguitetin e këtij ligji, ministri i Arsimit, z. Genc Pollo, përdori kartën e aleatit qeveritar për të marrë votat e nevojshme që projektligjin e hartuar me shumë pak konsulta me grupet e interesit si dhe akademikët jo të paktë në numër, ta kthente në ligj. Pra, autonomisë kaq të reklamuar nga vetë z. Kryeministër iu “aneksuan edhe disa territore të tjera”, sepse ligji në vetvete ka një frymë frenuese, pa diskutim për syrin kritik.

Por problemi qëndron gjetiu. Në fillim nuk e kuptoja përse pas zgjedhjeve të përgjithshme në universitete, ku shumë nga kandidatët e mbështetur nga ministria humbën, kjo e fundit nisi të dërgonte një mori udhëzimesh e urdhëresash nëpër universitete, që ngjanin me arnat e zeza të mjerimit mbi kostumin e bardhë e të pastër të përparimit akademik. Kulmi ishte momenti kur u kuptua përse-ja e gjithçkaje. Në një tryezë emergjente në ministri, të mbledhur për çështjen e “Masterit të Mësuesisë”, në mënyrë të pakuptimtë, nga ana e ministrisë, hidhet ideja e krijimit të një fakulteti edukimi ose njëfarë qendre koordinimi.

(Paraprakisht, duke qenë se informimi publik, nga ana e dikastereve në Republikën e Shqipërisë lë shumë për të dëshiruar, më është dashur që informacionet mbi mbarëvajtjen e arsimit të lartë t’i marr nëpërmjet punës si përfaqësues studentor në Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës.)

Le ta analizojmë pak këtë qendrën e edukimit të propozuar nga ministria përkatëse. Propozohet ngritja e një strukture paralele me atë të Universitetit, ku të mund të përgatiten mësuesit e brezave të ardhshëm. Ndërkohë që Universiteti i Tiranës, që është lider në arsimimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, ka 50 vjet që nxjerr mësues të shkëlqyer që na kanë nderuar jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Ky universitet, ashtu si dhe të tjerët në rrethe, i ka rregulluar vetë marrëdhëniet e brendshme ndërmjet fakulteteve të tij për nxjerrjen e produkteve finale, sepse është pikërisht kjo fryma e autonomisë universitare: Vetëqeverisja.

Por ja që kjo e fundit, pra autonomia, na rënka ndesh me interesat e njërit apo tjetrit tender apo post drejtues, sepse domosdo, që nga ndërtimi dhe deri tek drejtimi i kësaj qendre hipotetike dhe krejtësisht absurde, detyrimisht do bëhet nga vetë ministria që me këto lëvizjet e fundit duket sikur është zgjedhur nga universitetet private, që janë të vetmit përfitues nga amullia e krijuar në universitetet publike, dhe jo nga vota e popullit. Pa dyshim që autonomia universitare bie ndesh me interesat e ngushta, sepse nëse frenat e universitetit do t’u liheshin në dorë akademikëve të nderuar dhe jo politikanëve që shpeshherë nuk njohin aulën e Masterit, nuk do të kishim arnime nënligjore të pakuptimta, si ai për titujt shkencorë, apo ndërhyrja në rregullimin e ngarkesës së pedagogëve, bllokimin skandaloz të financave të universitetit, riformulimin e Masterave një muaj para diplomimit apo tentativën për të krijuar superkancelarin.

Është me të vërtetë për të ardhur keq fakti që sa herë që zhvillohet një konferencë apo del një raport nga OJF-të apo organizmat ndërkombëtare në lidhje me edukimin në Republikën e Shqipërisë, gjithmonë tonet janë shumë kritike dhe shprehja tashmë shabllon e krijuar është: “Ngelet shumë për të bërë”. E pra, do të ishte më mirë sikur t’u jepej fund këtyre arnimeve të zeza nënligjore. Dhe për kostumin e bardhë të arsimit të lartë, pra autonominë universitare, të kujdeseshin vetëm strukturat drejtuese të këtyre djepeve të dijes, të cilët janë edukuar në këto universitete, kanë dhënë mësim në to, i kanë drejtuar këto universitete ndër vite dhe kanë vënë disa nga gurët e themeleve të dijes bashkëkohore, pa dyshim duke pasur parasysh respektimin e ligjit, rregullave si dhe strategjinë e arsimit të lartë kur ajo nuk reflekton absurditet dhe dëm për studentët aktualë dhe brezat e ardhshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›