E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati PS-LSI ne Fier

Ndoshta i detyruar të shkruajë për çdo gjë, si pena më e shquar e LSI-së, Petrit Vasili pardje botonte një shkrim me titull “Më larg Fieri se Roma”. Në fakt, shkrimet e tij janë tepër të lodhshme për t’u lexuar deri në fund, të ngarkuara me fraza boshe dhe ironi ordinere, por kanë rëndësinë e tyre për të lexuar titullin dhe rreshtin e parë, sa për të kuptuar se kundër kujt prej të dyve është shkrimi i radhës; sepse dihet që kur s’mbetet gjë pa thënë për Edi Ramën, duhet të gjendet diçka për Kryeministrin Berisha. Parë në këtë kuptim, nuk ia vlen të komentohet, por meqë jetojmë në Fier dhe shoqëruam Kryeministrin në turin e tij “Shqipëria në NATO” në këtë rreth, në respekt të lexuesit të paanshëm, duhet të themi disa të vërteta rreth vizitës dhe për më tepër, të shpjegojmë se përse LSI-ja e do Fierin larg NATO-s dhe Evropës?!

Deklaratën për liberalizimin e vizave Kryeministri Berisha e bëri në një komunë me kryetar nga LSI-ja, atë të Semanit, dhe kuptohet që informatat kanë qenë të sakta. Dhe pikërisht nga informimi i saktë për numrin aq të madh e të paparashikueshëm të banorëve që pritën ngrohtësisht Kryeministrin, është nxitur Vasili të përpiqet të gjejë gjilpërën në kashtë kundër suksesit të vizitës e të predikojë se Shqipëria nuk do të mund ta arrijë shpejt liberalizimin e vizave. Aq shumë banorë të Semanit deputeti i LSI-së, Prifti, nuk i kishte mbledhur dot në tetë vjet të marra së bashku duke shkuar çdo dy javë në zonën e tij. Sikur t’i “tekej” Kryeministrit dhe të shkonte dhe nja dy herë të tjera për të folur me banorët atje e për të inauguruar investime të reja, çdo të ndodhte? Atëherë, si të mos përpiqej të shkruante e shante Vasili? Ku i dihet, mbase në Seman fshatarët e lexojnë gazetën. E të thuash se në llogaritjet e përnatshme të votave sekretari i LSI-së kishte llogaritur popullsinë e komunës të gjithën për vete për të rritur numrin e deputetëve me qëllim që kryetari i tij të besonte se do të bëhej Kryeministër në zgjedhjet e ardhshme? Pas asaj vizite ndoshta i gjithë CASH-i (shqip lexohet KESH-i) i deputetit Prifti nuk do të mjaftonte për të ndryshuar imazhin e mirë që përforcoi Kryeministri për qeverisjen me fjalën e tij te banorët. Eh, sikur se kishin pak bela NATO-n, Vasili me Priftin, edhe liberalizimi i vizave me Evropën duhej. Por shkrimi gjithsesi duhej bërë. Gazetën në mos e lexojnë banorët, kryetari i komunës duhet ta lexojë. Të mos ndryshojë parti ai të paktën, se përsëri sipas informatave të sigurta, kryetari i komunës dukej i ngazëllyer në krah të Kryeministrit...

Informacioni ishte i saktë në shkrimin e Vasilit edhe për varfërinë e madhe të komunave ku deputet për 8 vjet është deputeti i LSI-së Prifti. Rrugë të asfaltuara të lidhura me Fierin nuk janë ndërtuar për komunën e Libofshës që prej vitit 1994 në kohën e qeverisjes së parë të Sali Berishës. Kurse Semani ka kërkuar vetëm një gjë: pastrimin e vijës bregdetare nga mbetjet e naftës që derdh lumi Gjanica, për të zhvilluar turizmin. Përse z. Prifti në 8 vjet nuk ka bërë, më saktë ka gënjyer të bëjë dy gjërat më të rëndësishme për banorët që do të zhvillonin komunat dhe do ta bënin zonën më të pasur? Sepse në atë rast të humbur, dalin ata që blejnë vota. Sa më të varfër të jenë zgjedhësit, aq më të lira janë votat dhe e kundërta. Eh, banorët janë aq të varfër sipas Vasilit, sa nuk po shkojnë dot deri në Fier, ç’u duhet Evropa? Por sa më shumë djem e vajza të dalin e të shikojnë Evropën, aq më të ditur bëhen (Zoti na ruajt! Dikush shkon e studion në Harvard?!) e aq më qartë do ta kuptojnë të vërtetën. Do ta kuptojnë se kush punon për vendin dhe kush punon për vete.

E ç’u duhet Evropa sipas Vasilit? Ku i kemi ne ato standarde? Standardet evropiane duan edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Po me zgjedhje të lira e të ndershme a bëhen dot deputetë në Fier njerëz si Vasili, Prifti e të tjerë në LSI?

Megjithëse shpjegimet e mësipërme e përmbushin detyrimin e premtuar në fillim të shkrimit duke qenë të mjaftueshme për të lejuar një analizë të paanshme të lexuesit të nderuar, duhet analizuar kriza e identitetit që po kalon kjo “forcë e re” me liderë të vjetër, për të kuptuar më mirë shtysat e lëvizjeve të inatosura të LSI-së si shkrimi “Më larg Fieri se Roma”.

E para, LSI-ja ka pasur që në lindje një krizë identiteti, sepse doli si jashtëqitje e Fatos Nanos plot akuza KPD-je që lavatriçja e kohës nuk i ka larë akoma.

E dyta, politika e di fare mirë, ashtu siç e dinë edhe vetë në LSI, që votat e marra në fushatën e vitit 2005 ishin tërësisht të majta dhe të orientuara përkohësisht atje për arsye të urrejtjes ndaj qeverisjes së mbrapshtë të Fatos Nanos. Me realitetin e ri dhe opozitën e mjaftueshme që bën Partia Socialiste, LSI-së i humbasin ato vota, bashkë me qëllimin e ekzistencës si opozitë e majtë e partisë së majtë në pushtet. Një parti pa vota ideologjike, s’mund të ketë identitet.

E treta, me amalgamën prej partiçkash, kalemxhinjsh dhe inatçinjsh gjithfarësh që po përpiqet të formojë, më tepër po ia humb identitetin vetes edhe nëse e ka pasur ndonjëherë, tashmë duke kaluar nga LSI në lesh e li.

E katërta, në udhëheqje të LSI-së janë politikanë mediokër që nuk shquhen as për karizëm të veçante, as për inteligjencë të veçantë, as për ndershmëri të veçantë dhe as për ndonjë arritje të veçantë në fushën politike, gjë që do të krijonte shpresa për formim identiteti në të ardhmen, mbështetur në ndonjë figurë të veçantë që në fakt, përveç karakteristikave të mësipërme, do t’i duhej të ishte edhe pak më (i) lartë për të rivalizuar kandidatët e tjerë për Kryeministër.

E pesta, të qenit larg pushtetit për shumë vjet, normalisht bën që burimet e përgjithshme të sponsorizimit të fushatave elektorale të vijnë duke u tkurrur. Sistemi elektoral proporcional rajonal nuk e favorizon këtë amalgamë “të re” politike, jo sepse nuk është demokratik, por sepse listat e mbyllura do të krijojnë një përçarje të papritur në çastin e fundit midis disa “kamberëve për një derë” si dhe midis politikanëve biznesmenë dhe biznesmenëve politikanë. Kjo bën që LSI-ja të jetë e inatosur në radhe të parë me veten.

Dhe e fundit, por më kryesorja, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe liberalizimi i vizave me BE-në që Partia Demokratike rezervon për LSI-në dhe opozitën në përgjithësi si terren të pafavorshëm politik. Ja pse Vasili në inat e sipër, në shkrimin e tij “zbulon” padashur se LSI-ja e do Shqipërinë larg nga Evropa.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›