E Diel, 1 Nëntor 2026

Autorët e sulmit terrorist në Australi, babë e bir

Autoritetet australiane kanë zbuluar detaje kyçe pas sulmit terrorist që tronditi Sidnein të dielën, duke lënë të vdekur të paktën 15 persona (përfshirë një fëmijë) dhe plagosur dhjetëra të tjerë gjatë festës së Hanukkah-s në plazhin Bondi Beach.

Në një konferencë shtypi që zgjati rreth 30 minuta, kryeministri i New South Wales, Chris Minns, konfirmoi se 15 persona kanë humbur jetën, duke përfshirë një fëmijë, ndërsa një nga sulmuesit u vra nga policia.

Shefi i Policisë, Mal Lanyon, deklaroi se dy sulmuesit ishin një burrë 50-vjeçar (babai) dhe djali i tij 24-vjeçar.

Babai, i cili kishte licencë për armëmbajtje dhe e kishte regjistruar 6 armë zjarri në emër të tij – dhe të gjashta armët u gjetën në vendngjarje.

Policia konfirmoi se dy pajisje shpërthyese të improvizuara u gjetën në vendin e ngjarjes dhe u çaktivizuan me sukses nga njësitë speciale.

Gjatë natës, policia kreu kontrolle në dy shtëpi në periferitë perëndimore të Sidneit: Campsie dhe Bonnyrigg.

Për të garantuar sigurinë, 328 oficerë policie janë vendosur për mbrojtjen e komunitetit hebre në Sidnei.

Kryeministri federal Anthony Albanese premtoi se do të angazhojë çdo burim të nevojshëm për të përballuar sulmin dhe u zotua të “eliminojë” antisemitizmin në shoqërinë australiane.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›