E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 100 mijë vizitorë në muzeun “Onufri” në Berat

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ – Me pasurinë e tij unike të artefakteve kishtare dhe ikonografisë bizantine Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat edhe në këtë dhjetor është i mbushur me vizitorë.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha sot për ATSH-në se “edhe pse jemi drejt fundit të vitit, çdo ditë muzeun e vizitojnë grupe turistësh të huaj, por edhe vizitorë vendas”.

“Nga janari deri tani muzeu është vizituar nga rreth 100 mijë vizitorë, 75% prej të cilëve janë të huaj, kryesojnë polakët, francezët, italianët, gjermanët, spanjollët izraelitët, etj.”, tha Pasku.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja – sipas mbishkrimeve që mbart – rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine.

Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.

/k.s/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›