Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor marrëveshje me Universitetin e Tiranës, praktika profesionale për studentët

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Drejtuesja e Autoritetet Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Vilma Tomço dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë.
Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja konsiston në disa pika kyçe si: identifikimin, nxitjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët, në fushën e gjeoinformacionit, teknologjisë së informacionit, promovimit dhe marketingut të produkteve; Bashkëpunimin për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, organizmin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve, si edhe nxitjen, mbështetjen, dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit, trajnimit dhe kërkimit shkencor.
Kjo marrëveshje parashikon edhe krijimin e hapësirave për praktika profesionale dhe mësimore për studentët.
Drejtuesja e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Vilma Tomço theksoi se ky është rezultat i një pune njëvjeçare së bashku me Fakultetin e Gjeografisë, që solli edhe momentin e përshtatshëm për të forcuar dhe zhvilluar këtë bashkëpunim. Ajo vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi për të gjithë studentët e UT, e jo vetëm për ata të Fakultetit të Gjeografisë, por duke përfshirë këtu edhe Fakultetin Ekonomik, atë të Shkencave të Natyrës, etj.
Tomço e vuri theksin te kërkimet shkencore dhe orët e hapura për studentët, duke shprehur faktin se kjo është një mundësi e mirë edhe për organizmin që ajo drejton, për të zgjeruar më tej horizontet e bashkëpunimit, pas atyre të mëparshme me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Universitetin e Prishtinës, dhe AIC, ASPA e të tjera institucione.
Nga ana e tij, rektori Hoxha vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të mirë për përfituar nga ekspertiza dhe mundësitë, duke bërë kështu të mundur që veprimtaritë e UT, të shkojnë në dobi të zhvillimeve të shoqërisë. Ai gjithashtu theksoi se këto janë mundësi të mira edhe për vet universitetin, që të ofrojnë ekspertiza për palë të tjera, në funksion të ngritjes së financave, sikurse është parashikuar edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë. /j.p/
