E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Autoriteti i Konkurrencës gjobit 4 ndërmarrjet e miellit: Fiksojnë çmimet dhe kontrollojnë tregun

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur 4 ndërmarrjet e miellit në vend, duke i akuzuar se përmes marrëveshjeve mes njëra-tjetrës fiksojnë çmimet dhe kontrollojnë dhe ndajnë tregjet mes tyre.

Gjoba ndaj ndërmarrjeve të miellit vjen pas një periudhe monitorimi 1-vjeçar nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas Autoritete të konkurrencës ndërmarrjet Agroblend SHPK, Atlas Mills SHPK, Miell Tirana SHA dhe Bloja SHA kanë aplikuar në vazhdimësi çmime të njëjta shitje edhe në periudhën shtator 2021 – gusht 2022.

“Detyrimin e ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktikat të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg veçanërisht:

a) të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi;

b) të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;

c) të ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;

ç) në marrëdhëniet tregtare me palët e tjera, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;

d) të kushtëzojnë lidhjen e kontratave me pranimin nga palët e tjera kontraktuese të detyrimeve shtesë që, për nga natyra ose nga përdorimi i tyre tregtar, nuk kanë lidhje me objektin e këtyre kontratave”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Konkretisht janë gjobitur:

– Gjobitjen e ndërmarrjes Agro Blend SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I dhe II të VKK nr. 839/2021, në masën 5,774,395 Lekë

– Gjobitjen e ndërmarrjes Bloja SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I dhe II të VKK nr. 839/2021, në masën 1,468,877 Lekë

– Gjobitjen e ndërmarrjes Miell Tirana SHA për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I të VKK nr. 839/2021, në masën 2,025,659 Lekë

– Gjobitjen e ndërmarrjes Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të sanksionuara në pikën I të VKK nr. 839/2021, në masën 1,324,390 Lekë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›