E Diel, 1 Nëntor 2026

Autorja e Fest 64, Belioza Çoku: Sonte një natë e dytë plot energji dhe surpriza muzikore

Pas një nate të parë plot emocione dhe performanca të spikatura nga 14 artistë, Festivali i Këngës 64 vijon sonte rrugëtimin e tij artistik me natën e dytë konkurruese. Mbrëmja pritet të sjellë rivalitet muzikor, surpriza skenike dhe interpretim të nivelit të lartë, duke e konfirmuar festivalin si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.

Nata e dytë do të çelet nga prezantuesja e festivalit me një moment të veçantë artistik, për t’ia lënë më pas skenën 14 artistëve që do të performojnë këngët e tyre në garë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSh 1, producentja e Festivalit të Këngës 64, Belioza Çoku, u shpreh se nata e parë u prit me shumë entuziazëm nga publiku dhe u shoqërua me reagime pozitive e komente të shumta.

“Nata e parë ishte vërtet shumë emocionuese, kjo edhe nga reagimi i publikut, të komenteve, të vëmendjes që morëm. Asgjë nuk arrihet vetëm dhe e ndejë veten të bekuar që ishim një ekip fantastik. Dua që të falënderoj veçanërisht regjisorin i cili ka këmbëngulur për këtë koncept dhe që na dhuroi atë hapjen madhështore. Ishte shumë emocionuese dhe sigurisht e lodhshme për këngëtarët dhe artistët”, u shpreh producentja.

Ajo theksoi rëndësinë e punës në grup dhe falënderoi veçanërisht regjisorin për konceptin dhe hapjen madhështore të festivalit, duke e cilësuar mbrëmjen si emocionuese, por edhe të lodhshme për artistët.

“Në backstage fillon magjia e karrierës artistike, sapo dalin këngëtarët i rrethojnë të gjithë ata që mund ti pëlqejnë, fansat e tyre, personat që kanë pranë, stafi dhe më pas i pret Andrri me Antonetën për intervistat. Publikun shqiptar ne nuk e zhgënjyem në natën e parë dhe dua të falënderoj ata që na mbështetën, që na komplimentuan, që e shijuan madje edhe kritikët. Audienca që në momentin që u lançuan këngët secili përpiqej që të duartrokiste këngëtarin e tij. Prandaj doja të theksoja se regjisori ka qenë vërtet heroi i hapjes dhe i mbrëmjes së natës së parë. Midis moderatorëve kishte një kimi e padiskutueshme, absolutisht profesionist dhe shumë të gatshëm për të bashkëpunuar për të qenë sa më pranë publikut”, shpjegoi Çoku.

Sa i përket natës së dytë, producentja premtoi një mbrëmje progresive, me performanca të jashtëzakonshme dhe momente surprizë.

Një nga pikat kulmore do të jetë interpretimi i tenorit të njohur Ramë Lahaj, i cili, përveç rolit si kryetar jurie, do të ngjitet edhe në skenë.

Orkestra e RTSH-së, e cilësuar si “guri i çmuar” i televizionit shqiptar, do të vazhdojë të mbetet shtylla muzikore e festivalit, duke shoqëruar artistët me profesionalizëm dhe energji të pandalur.

“Edhe sonte nata e dytë do të jetë progresive por në mënyrë të njëjtë për sa i përket kualiteteve me një grup artistësh që do t’ju kënaqin të cilët kanë performanca të jashtëzakonshme . Do të jetë tenori i famshëm Ramë Lahaj i cili do të performojë përveç se është kryetar jurie, nuk do të mungojnë edhe performancat surprizë. Orkestra do të mbetet gjithmonë guri i çmuar dhe më i vyeri i televizionit shqiptar. Janë fantastik dhe nuk lodhen kurrë edhe pse kanë një ditë shumë të ngarkuar”, tha ajo.   

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›