Çështja e AKSHI-t, paraqiten në GJKKO Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi dhe zyrtarët e tjerë

Është mbajtur sot në Gjykatën e Posaçme seanca për manipulimin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Në GJKKO u paraqit drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoresha Hava Delibashi, zv.drejtori i Policisë Tiranë, Erion Ismaili dhe zyrtarët e tjerë Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta.
Ndërsa për dy biznesmenët e tjerë për të cilët është vendosur arrest me burg, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri nuk dihet ende asnjë informacion.
Gazetarja e RTSH, Flutura Tota bëri me dije se në seancën e sotme, zyrtarët e AKSHI-t do të njihen me masat e sigurisë.
“Sapo kanë ardhur në SPAK Mirlinda Karcanaj, drejtoresha e pezulluar nga detyra nga prokuroria për disa tendera që janë bërë më herët në këtë institucion. Ajo është në masën e arrestit të shtëpisë. Në SPAK u paraqit dhe Hava Delibashi me avokatin e saj, Erdhën dhe punonjësit e tjerë të AKSHI-t të cilët kanë masë sigurie. Seanca sapo ka filluar dhe ata do njihen me masat e sigurisë”, deklaroi gazetarja Flutura Tota.
Më pas seanca u ndërpre, pasi Gjykata i la mbrojtjes 3 orë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.
Dy ditë më parë Prokuroria e Posaçme (SPAK) goditi një skemë të dyshuar për manipulimin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke lëshuar 8 masa sigurie.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi arrest shtëpie për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilda Karçanajt dhe zv.drejtoreshën Hava Delibashin, arrest në burg për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Po ashtu u vendos pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit për zv.drejtorin e policisë Tiranë, Erion Ismaili, ndërsa për Andis Papën, Gëzim Hoxhën, Rogers Rrytën u caktua masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Sipas SPAK, këta persona dyshohen se kanë favorizuar disa kompani kundrejt disa të tjerave për përfitimin e tenderave.
/rtsh.al/