Autostrada Rrëshen-Mars-Kalimash

Nga Fatos Lubonja
Do të pyesë lexuesi pse ky titull; ç'punë ka Marsi në këtë itinerar? Më në fund
mu dha rasti të kaloj nëpër autostradën e famshme, që është aq të përfolur,
dhe më erdhi natyrshëm ky asociacion , që pastaj, sa më shumë e mendoja, aq më
i goditur më dukej. Më erdhi nëpërmend Marsi, sepse në shumë segmente të kësaj
autostrade pata ndjesinë se nuk po udhëtoja në Tokën tonë, por nëpër truallin e
planetit Mars, ku s'ka as gjelbërim, as pemë, as bar, por një peizazh pa jetë,
vetëm me gurë minerarë apo vullkanikë në ngjyra të çuditshme. Kjo për shkak të
shkatërrimit katastrofik ekologjik që ka shkaktuar ajo autostradë. Udhëtimi im
zgjati deri në Fan dhe, e përsëris - ishte tronditës numri i maleve të
zhveshura që më panë sytë, ku në vend të pishave dhe barit dhe bimësisë që ka
ekzistuar aty, tani syri të shihte një shkreti/shëmtirë ku natyra dhe peizazhi
janë vrarë në kuptimin më mizor të fjalës. E di që shumica do të qeshin me këtë
vërejtje dhe do të më flasin për cilësinë e asfaltit e shpejtësinë me të cilën
arrihet Kukësi. E di që një pjesë janë edhe të sinqertë kur të flasin me entuziazëm
për këtë autostradë si arritje. E di, po ashtu, që një pjesë nuk e kanë fare
atë ndjenjë dhimbjeje ndaj peizazhit të vrarë edhe kur nuk janë nga ata që sytë
u shohin vetëm para dhe gëzimin e udhëtimit në makina luksoze. Por, duke e
ditur se edhe këta marrin si pikë referimi shpesh të huajt perëndimorë, edhe
pse nuk më pëlqen kjo formë dhënieje argumentesh, po ju them se isha duke
udhëtuar edhe me një të huaj, perëndimore, shumë më të shëtitur se unë, madje,
artiste. Dhe ajo më tha se në jetën e vet s'kishte parë një autostradë më të
shëmtuar nga pikëpamja e shkatërrimit të natyrës dhe peizazhit. Dhe kjo, sipas
saj, nuk lidhej thjesht me faktin se është çimentifikuar tërë ajo natyrë e më
the të thashë, por sepse dukej sheshit se nuk ishte bërë asnjë studim për ta
ruajtur këtë natyrë e peizazh, kur ishte bërë projekti sepse - më tha gjithmonë
ajo - tek ne, edhe kur bëhen autostrada të tilla, nuk pritet dhe nuk zhvishet
mali kështu siç e kanë bërë këta, por preferohen më shumë gjysmë-tunele, ku
natyra sipër mbetet dhe pastaj, atje ku s'është e mundur, firmat janë të
detyruara ta riveshin malin.
Së dyti, thash "Mars" sepse, duke përshkuar atë autostradë, nuk mund
të mos më binte në sy kotësia e saj nga pikëpamja e funksionalitetit. Ajo
mbizotëronte në atë peizazh me male të shkretë, si një luks absurd kur ke
parasysh vendin dhe nevojat e tij. Mjaft të kesh parasysh gjendjen e rrugëve në
zonat e tjera të vendit, faktin se, ndërkohë që prej kryeqytetit e deri në
Rrëshen, ku trafiku është tejet më i dendur, ka vetëm ca copa autostrade, ajo
fillon atje ku syri të shihte një numër krejt të vogël makinash. Apo faktin se
një rrugë e tillë nuk ka shkuar dot ende deri në Vlorë. Pra, nuk mund të thuash
kurrsesi se ajo ka qenë një prioritet i Shqipërisë. Rruga që vazhdon nga Miloti
për në Rrëshen, që është sa gjysma e autostradës, do të ishte plotësisht e
mjaftueshme të paktën (sipas gjykimit tim intuitiv sigurisht) edhe për njëzet
vjet.
Së treti, thash "rrugë marsiane", sepse kush kalon nëpër atë
autostradë nuk mund të mos i bjerë në sy një gjë që e kam trajtuar edhe në një
shkrim tjetër. E kam fjalën për faktin se ajo e ka izoluar Veriun, në vend se
t'i shërbejë atij. Edhe në fshatrat atje afër saj binte në sy ky izolim; edhe
për ata nuk ishte parashikuar ndonjë dalje e afërt. Të paktën nga Rrësheni në
Fan, që është një distancë jo e vogël, nuk kishte asnjë dalje. Dukej sikur ajo
të mos jetë bërë për njerëzit, por për një gjë abstrakte (disa e quajnë
"komb"). Duke përshkuar atë, nuk mund të mos mendoje se me të hollat
që janë shpenzuar aty mund të ishin hapur rrugë të vogla apo të shtroheshin
rrugë të vjetra në formën e degëzimeve në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në
Dukagjinin e parrugë, çka do të bënte që në trupin e Veriut të lëvizte sërish
limfa e jetës, e cila, në gjendjen që kemi sot, është përqendruar e po
asfiksohet përditë në gjethnajën e madhe pa trung, qytet-fshatin gjigant,
Tiranë-Durrësin e supershëmtuar. Nuk mund gjithashtu të mos bëje kalkulimin se
sa shkolla e kopshte do të mund të ishin ndërtuar me ato të holla; sa rroga
mësuesish e mjekësh do të ishin ngritur ashtu, që puna e tyre të fitonte
dinjitetin e nëpërkëmbur nga varfëria; sa monumente kulture mund të ishin
restauruar, sa shumëçka tjetër më prioritare mund të ishte bërë për të
përmirësuar jetën e njerëzve. Ja pse edhe në këtë aspekt, ajo ishte një
autostradë marsiane.
Kundërargumentet kryesore që dëgjoj kur them këto që thashë më sipër, janë
disa. Së pari ato patriotike: "Rruga e Kombit" të thonë. Besoj se nuk
ia vlen të trajtohet në këtë shkrim ky argument, sepse për çdo shqiptar normal
tashmë është e qartë se që kur është krijuar Shqipëria e këtej (më duket se kjo
ka filluar të vlejë edhe për Kosovën), fjalia që u shkon më për shtat
politikanëve tanë ka qenë e mbetet - nacionalizmi është streha e fundit e
horrave. Sipas gjykimit tim, edhe kjo rrugë, mu për ato çka thashë më sipër,
por edhe për akuzat e shumta që qarkullojnë për përdorimin e saj, për një
superkorrupsion, është ilustrim i qartë i dashurisë së rrejshme të politikanëve
tanë për këtë vend dhe njerëzit e tij.
Një argument i dytë që dëgjoj më shpesh është se kjo do të bëjë të mundur
zhvillimin e ekonomisë, kryesisht për transportin e mallrave. Por, a nuk do të
ishte më mirë që rruga të rritej duke u rritur prodhimi? Sepse, cilat janë këto
mallra që prodhokemi ne dhe kosovarët, të cilat paskan nevojë për këtë rrugë
kaq të gjerë? Malli kryesor që transportojmë ne është droga dhe ajo nuk ka
nevojë për autostradë. Disa të tjerë të flasin për lumin e turistëve kosovarë
që do të vërshojnë nga ajo autostradë për të na sjellë fitime. Por, a nuk do të
kishte qenë më mirë që një pjesë e parave të autostradës të ishin shpenzuar, më
së pari, për ti hequr ujërat e zeza nga derdhja në det, së dyti, për të
shembur e pastruar ndërtimet pa leje që kanë shpërfytyruar shumëçka në bregdet,
e të tjera e të tjera, kurse pjesa tjetër për të zgjeruar e rregulluar mirë e
bukur rrugën e vjetër? Personalisht do t'u thosha turistëve kosovarë dhe jo
vetëm atyre: nëse doni të shihni Shqipërinë, zgjidhni rrugën e vjetër se do të
shihni një Shqipëri shumë më të bukur edhe në kuptimin natyror, por edhe
historik e kulturor. Unë në një fragment në kthim mora rrugën e vjetër, me
idenë që t'i shpëtoja shëmtisë së peizazhit marsian të autostradës së re. Dhe u
kënaqa shumë më tepër sesa në vajtje ndonëse, fat të keq, edhe atje nuk i
shpëtova dot një shëmtie tjetër të dorës shqiptare: në shumë fragmente kishin
vjedhur mbrojtëset prej alumini në krah të rrugës.
Shkurt, për ta mbyllur, udhëtimi nëpër autostradën Rrëshen-Kalimash ishte për
mua një zhgënjim, një tjetër shenjë e dukshme dhe dramatike e delirit (dhe jo
vetëm) të politikës sonë, që tregon se sa e shkëputur është klasa jonë politike
nga hallet e vërteta të këtij vendi, por edhe nga vizioni i sotëm për
zhvillimin e qëndrueshëm e në harmoni me natyrën në botë, prandaj dhe futa
Marsin në itinerarin Rrëshen- Kalimash.