Autostrada nga Prishtina drejt Shkupit shtyhet për në 2014-ën

Rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë gjetur zbatim te qeveria e Kosovës. Kjo e fundit, ndonëse kishte paralajmëruar ndryshe në fillim, tashmë është bindur se nuk ka mjete financiare për ndërtimin e rrugës që pritet të lidhë Prishtinën me Hanin e Elezit, në drejtim të Shkupit, që ndryshe njihet si “Rruga 6”. Autostrada e dytë e Kosovës, bazuar në planet e reja të Qeverisë së Kosovës, është planifikuar të nisë së ndërtuari tek në vitin 2014. Në planet dhe dokumentacionet e qeverisë kosovare është llogaritur që brenda vitit 2014 investimet në këtë projekt të arrijnë vlerën prej 130 milionë eurosh.
Ky projektim financiar ka hedhur poshtë deklarimet e mëparshme të kryeministrit Hashim Thaçi për fillimin e ndërtimit të autostradës drejt Shkupit gjatë vitit 2013. Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Fehmi Mujota, ka dërguar në vjeshtë tek Kuvendi qëndrimin përfundimtar të qeverisë që deri në fillimin e vitit 2013 të nisë ndërtimi i “Rrugës 6”.