Avancojnë procedurat e pronësisë në Gjepalaj, Arbana: Vendime për 630 parcela

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Investimet në infrastrukturën rrugore, përfundimi i Qendrës Kulturore Multifunksionale dhe avancimi i procesit të dokumentacionit të pronësisë në Gjepalaj janë disa nga zhvillimet që synojnë përmirësimin e jetës së banorëve në bashkinë Shijak.
Kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, në një prononcim për ATSH-në, u shpreh se puna vijon për përmirësimin e infrastrukturës në qytet dhe njësitë administrative, duke i kushtuar vëmendje investimeve që krijojnë më shumë mundësi për familjet, fermerët, sipërmarrësit dhe të rinjtë.
Një nga projektet kryesore është Qendra Kulturore Multifunksionale, e cila është drejt përfundimit dhe pritet të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore e sociale, me fokus të veçantë te të rinjtë.
“Jemi drejt përfundimit të Qendrës Kulturore Multifunksionale, një investim që do të krijojë më shumë hapësira për kulturën, aktivitetet sociale dhe veçanërisht për të rinjtë”, tha Arbana.
Paralelisht, bashkia po vijon punën për asfaltimin e segmenteve rrugore të mbetura për t’u përfunduar në fshatra dhe zona të ndryshme, me synimin për të përmirësuar lidhjen mes komuniteteve dhe aksesin në shërbime.
Një zhvillim me rëndësi për banorët e njësisë administrative Gjepalaj është edhe procesi i dokumentacionit të pronësisë, që po ndiqet në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).
Sipas Arbanës, për rreth 630 parcela janë përgatitur vendimet përkatëse, ndërsa procesi në tërësi përfshin rreth 522 hektarë tokë bujqësore dhe afërsisht 1300 parcela. Vendimet do të afishohen për verifikim nga qytetarët, ndërsa bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse do të vijojë deri në përfundimin e procedurave dhe pajisjen e familjeve me dokumentacionin e pronësisë.
“Është një problematikë shumëvjeçare dhe zgjidhja e saj ka rëndësi të drejtpërdrejtë për familjet e kësaj zone”, theksoi kryebashkiaku.
Në fokus të Bashkisë Shijak është edhe forcimi i transparencës institucionale përmes platformës “Pasqyra e Flamingos”, e cila synon t’u mundësojë qytetarëve akses më të drejtpërdrejtë në dokumentet dhe informacionin zyrtar.
“Transparenca ndaj qytetarëve është prioritet. Qytetari nuk duhet vetëm të dëgjojë se çfarë ka ndodhur, por të ketë mundësi të shohë dokumentin, burimin dhe ecurinë e një procesi”, u shpreh Arbana, duke e cilësuar platformën një hap drejt një marrëdhënieje më të drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe qytetarëve.
Përmes investimeve në infrastrukturë, krijimit të hapësirave të reja kulturore dhe avancimit të procedurave të pronësisë, Bashkia Shijak synon të përmirësojë shërbimet dhe të mbështesë zhvillimin e komuniteteve në qytet dhe njësitë administrative.
/e.xh/r.e/