Shkodra mahnit turistët e huaj, natyra dhe mikpritja e kthejnë në destinacion të preferuar

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Nga liqeni dhe lumi Buna te malet, peizazhet e mrekullueshme dhe mikpritja tradicionale, Shkodra vijon të tërheqë vëmendjen e turistëve të huaj, të cilët e vlerësojnë si një destinacion që ofron natyrë, aventurë dhe përvoja të veçanta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një kolazh me pamje nga Shkodra, të shoqëruara me përshtypjet e vizitorëve të huaj, të cilët shprehin mahnitjen nga bukuritë natyrore dhe përvojat e tyre gjatë udhëtimeve në këtë zonë.
“Shkodra e transformuar, tanimë gjithnjë e më e bukur e më mikpritëse, është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara të turistëve nga e gjithë bota për pushimet dhe udhëtimet e tyre në Shqipëri”, shkroi Rama.
Në dëshmitë e tyre, turistët veçojnë larminë e peizazheve të Shqipërisë, nga malet dhe liqenet te lumenjtë e plazhet, si dhe gastronominë vendase.
“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe dëshirojmë të vijmë përsëri. Ajo ofron natyrë të jashtëzakonshme, aventura dhe gjithçka që mund të kërkosh: peizazhe të mrekullueshme, liqene, lumenj, male, plazhe fantastike dhe ushqim të shkëlqyer”, shprehet një prej vizitorëve të huaj.
Shkodra vlerësohet veçanërisht për ndërthurjen e rrallë të natyrës, me liqenin, lumin dhe malet që e rrethojnë, si dhe për njerëzit mikpritës.
“Jam nga Skocia dhe këtu ka gjithçka. Donim të ecnim në natyrë dhe kjo është arsyeja kryesore që erdhëm këtu”, tha një vajzë e re, pjesë e grupit të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë.
Ndërsa djali që është guida e këtij grupi turistik, tha se ndihet krenar për vendlindjen e tij. “Jam krenar për Shkodrën, sepse ajo i ka të gjitha: malet, liqenin, lumin dhe njerëzit e mrekullueshëm që e bëjnë këtë qytet një destinacion të veçantë për vizitorët”, u shpreh ai.
Bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore dhe mundësitë për aktivitete në natyrë e bëjnë Shkodrën një pikë tërheqëse për vizitorët që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë përtej destinacioneve tradicionale bregdetare.
/e.xh/r.e/