E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avancon Man Utd

Chelsea është mposhtur në shtëpi të vet nga Manchester United me rezultat 0:1, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Hero i ‘Djajve të Kuq’ ishte Wayne Rooney, i cili e shënoi golin e fitores. Në përballjen tjetër, Barcelona e ka deklasuar Shakhtar Donetskun, duke e mposhtur me rezultat 5:1. Pas këtyre fitoreve, Man Utd e Barcelona e shohin vetën pranë gjysmëfinales. Nga Express më 06 prill 2011 në ora 23:06

Chelsea ka pësuar humbje para tifozëve të vet nga Manchester United me rezultat minimal, 0:1, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, që është zhvilluar të mërkurën mbrëma ‘Stamford Bridge’.

Hero i ‘Djajve të Kuq’ ishte Wayne Rooney, i cili e shënoi golin e fitores për ekipin e tij.
Golin e vetëm në këtë takim, Rooney e shënoi në minutën e 24-të të takimit, pasi u shërbye mirë nga Ryan Giggs.

Pas këtij goli të pësuar londinezët kanë bërë përpjekje edhe më të mëdha për ta barazuar rezultatin, por nuk ia dilnin të krijonin aksione të mira, pasi rivalët e tyre të Premierligës mirë mbroheshin.

‘Djajtë e Kuq’ ia dolën që avantazhin ta ruajnë edhe gjatë pjesës së dytë të takimit, e cila u karakterizua me pakë raste të mira shënimi. Shansin më të mirë për ta barazuar rezultatin Chelsea e humbi në minutën e 74-të, kur gjuajtjen e Fernando Torresit me kokë e ndali portieri i Manchester Unitedit, Edwin van der Sar. Londinezët gjatë minutave shtesë në dy raste kërkuan penalti, por njëjtë nuk mendoi edhe gjyqtari kryesor, dhe në kështu ndeshja përfundoi me rezultat 0:1.

Në këtë mënyrë, Manchester United e sheh vetën me një këmbë në gjysmëfinale të Ligës më të fortë evropiane, pasi ndeshjen e kthimit ndaj ‘Bluve’ të Londrës, ‘Djajtë e Kuq’ e zhvillojnë në shtëpi të tyre.

Kualifikimin në gjysmëfinale thuajse e ka siguruar edhe Barcelona, e cila në shtëpi të vet e ka deklasuar Shakhtar Donetskun, duke e mposhtur me rezultat 5:1. Golat për kampionin aktual të Spanjës i kanë shënuar Iniesta, Alves, Pique, Keita dhe Hernandez. Kurse, golin e vetëm për ekipin ukrainas e ka shënuar Rakitskiy.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›