Aventura e adoleshenteve, i vjedhin 149 mln lekë dajës, i investojnë në biznes
Tiranë Dy vajza 18-vjeçare i kanë hyrë biznesit me milionat e vjedhura në shtëpinë e dajës së tyre. Dy mbesat e 43-vjeçarit Abdyl Projka, me banim në kryeqytet, kanë arritur që brenda tre muajve të vjedhin në banesën e dajës së tyre shumën prej 149 milionë lekëve të vjetra, në bashkëpunimin me një shoqen e tyre dhe një 16-vjeçar. Mbesat nuk kanë realizuar thjesht një vjedhje, por në kohë rekord kanë investuar lekët në hapjen e një biznesi parukerie si dhe blerjen e një apartamenti. Pasi kanë realizuar “investimin”, pjesën e mbetur të parave e kanë dhënë në formë fajdeje, duke ndihmuar një person i cili do t’ua kthente lekët me interes pas dy muajsh. Në këtë aventurë dy vajzat kanë pasur bashkëpunëtore një shoqen e tyre, ndërsa i gjithë skenari mori fund dje, kur policia njoftoi zyrtarisht se kishte arrestuar Oligerta Agushin, 18 vjeç; Laureta Komakun, 18 vjeç, mbesa të biznesmenit Projka; dhe shoqen e tyre Afërdita Pepmarkaj, 19 vjeçe. Për këtë çështje është vendosur procedimi në gjendje të lirë i 16-vjeçarit me inicialet G.J, i cili, mesa duket, ka luajtur rolin e gjetjes së varianteve për “investimin” e parave që mbesat i kanë vjedhur dajës së tyre. Abdyl Projka kishte konstatuar gjatë muajit dhjetor mungesën e parave, të cilat i mbante në një valixhe në dhomën e gjumit, gjë e cila ka alarmuar familjen e tij dhe e ka detyruar këtë të fundit të bëjë kallëzim penal në polici. Për 2 javë strukturat e hetimit të krimit në komisariatin numër 4, pas marrjes në pyetje të të gjithë të afërmve dhe ekspertizës së gjurmëve mbi valixhen ku mbaheshin paratë, kanë arritur në përfundimin se përgjegjëse për vjedhjen e shumës së konsiderueshme të parave janë vajzat e dy motrave të Abdylit, Oligerta dhe Laureta, të cilat shkonin herë pas here në shtëpinë e dajës për të takuar gjyshërit, por edhe për të pastruar shtëpinë, çka u ka krijuar lehtësinë e nevojshme për të marrë lekët në kohë të ndryshme përgjatë tre muajve. Dy 18-vjeçaret, në bashkëpunim me shtetasen Afërdita Pepmarkaj dhe 16-vjeçarin, i kanë investuar këto para në dy dyqane parukerish si dhe në blerjen e një apartamenti 60 metra katrorë te Zona e Xhamllikut. Ndonëse dy mbesat kishin që prej muajit tetor që merrnin rregullisht në valixhe lekë, ndërsa shkonin të vizitonin gjyshen e tyre, ato u diktuan vetëm në kohën që daja i tyre numëroi paratë. Vizitat kanë qenë normale dhe daja i dy vajzave grabitëse ka kuptuar se valixhja ishte holluar vetëm në vigjiljen e festave të fundvitit. Menjëherë, ai ka kryer denoncimin në polici dhe ka dhënë listën e të gjithë personave të cilët kanë hyrë e dalë nga shtëpia në javët e fundit. Policia nisi verifikimin një për një të personave në fjalë dhe nga informacionet e marra në rrugë operative zbuloi se dy mbesat e viktimës kishin nisur të merreshin me biznes kohët e fundit. Shtëpia e blerë si dhe aktiviteti tregtar i parukerisë figuronin në emër të shoqes së tyre Afërdita Pepmarkaj, ndërsa hetimi zbuloi se një 16-vjeçar, shok i tre vajzave, kishte realizuar të gjitha kontaktet me shitësit e apartamentit dhe të parukerisë. Pasi janë marrë të katërt në pyetje, policia zbuloi se, edhe pse kishin blerë apartament dhe kishin nisur aktivitet tregtar, nga shuma totale e vjedhur grabitësit nuk “justifikonin” dot se ku kishin çuar rreth 4 milionë lekë. Hetimi provoi se këtë shumë tri vajzat e kishin dhënë në formë huaje me interes te një tregtar, i cili ishte siguruar gjithashtu nga miku i tyre i mitur 16-vjeçar, i cili po hetohet në gjendje të lirë.
149 Milionë lekë vodhën dy 18-vjeçaret, në një valixhe të fshehur në shtëpinë e dajës së tyre. Mungesa e parave u vu re para festave të fundvitit nga biznesmeni Abdyl Projka
60 Metra katrorë ishte shtëpia e blerë nga vajzat, e regjistruar në emër të shoqes së tyre, ndërkohë që një pjesë e mirë e parave u investua në një sallon bukurie