Inida Gjata: Larmia e krijimtarisë sime nuk janë prova të radhës
“Hiç” sipas Inida Gjatës
Filmi i saj “Nothing” (Hiç), një dokumentar mbi çështjen aq të diskutuar të Piramidës, ku luhet me prishjen apo mosprishjen, u soll si pjesë e shfaqjeve në “Tirana International Film Festival” dhe do të vijojë të shfaqet për ata që nuk kanë mundur ta shohin këtë film. Një këndvështrim i regjisores që herë pas here shfaqet si prezantuese, këngëtare, madje dhe si modele, e sjell çështjen “Piramida” në vëmendjen e dy brezave. Si e shohin Piramidën brezi që ka jetuar në kohën e komunizmin dhe të rinjtë e lindur pas ’90-ës. Me kameran e saj regjisorja Inida Gjata ka takuar përfaqësues të dy brezave. Ndryshimi sesi e shohin brezat Piramidën është shumë i madh, e vetmja gjë që i bashkon janë kujtimet. Nëse të “vjetrit” (ata që kanë jetuar para ’90-ës) e shohin thuajse të gjithë si simbol të diktatorit, (por që ka mes tyre dyzime nëse duhet prishur apo jo), te të rinjtë apo brezi i lindur dhe rritur pas ’90-ës me ndërtesën në formë piramide në mes të kryeqytetit lidhjet janë personale. Një vajzë e re thotë se aty ka dhënë puthjen e parë, një tjetër kujton koncertet live dhe “dendjen” me birra e qofte; të tjerëve u rizgjon kujtime nga fëmijëria, kur mblidheshin nga lagje të ndryshme të Tiranës për të rrëshqitur nga maja deri në tokë. Palët edhe në këtë dokumentar janë ndarë në dy: ata që e miratojnë shembjen, dhe ata që luftojnë duke protestuar që të mos shembet. Mes dy palëve shfaqen herë pas here figurat e qeveritarëve e opozitarëve, dhe ata secili në frontin e vet. Çfarë mesazhi ka dashur të përcjellë regjisorja me këtë dokumentar? Ndiqni “Hiç”.
Përse zgjodhët TIF-in për të shfaqur dokumentarin tuaj?
Zgjodha TIFF për të prezantuar Dokumentarin tim të titulluar HIÇ, pasi është një aktivitet i pavarur njerëzish të pavarur, të cilët me shumë vullnet dhe këmbëngulje përpiqen të ruajnë traditën e zhvillimit të tij, pavarësisht vështirësive financiare që ndeshin. Është një ngjarje e mirëorganizuar, e cila ka nevojë jo vetëm për duartrokitje por edhe për bashkëpunimin e të gjithëve ne që ndajmë të njëjtat vështirësi për të shpënë deri në fund nismat tona artistike. Duke qenë se edhe dokumentari im është krejtësisht nismë personale, dhe që më ka ngrënë 6 muaj kohë për ta realizuar me ndihmën e shumë të tjerëve, të cilët m’u ofruan miqësisht për të finalizuar këtë projekt, e kishte vendin në atë festival. Fatmirësisht u prit mirë, megjithatë besoj se do ketë edhe shfaqje të tjera për ata që nuk mundën ta shohin.
Jeni prezantuar në fusha të ndryshme të artit; prezantuese, në muzikë, regjisorë, madje edhe si modele. Së fundmi, edhe me një dokumentar që mban po emrin tuaj si skenariste. A ka më për të provuar Zhaku?
Unë nuk jam prezantuar në fusha të ndryshme të artit duke provuar çfarë të më dalë përpara. Madje, këto që keni përmendur ju janë shumë pak nga larmia e krijimtarisë që del prej meje. Një vëzhgim më i kujdesshëm dhe më profesional i kontributit tim artistik dhe profesional do ju kishte ndihmuar edhe ju të kuptoni se ato që unë bëj nuk janë provat e radhës dhe përmbushjet e një liste, por janë produkti i krijimtarisë sime, e cila shpeshherë shfaqet në televizion si autore apo regjisore dhe moderatore; shpeshherë në teatër si autore regjisore apo aktore; shpeshherë në muzikë si krijuese dhe performuese e materialeve të mia; në modë, jo si modele, se më vjen të qesh me këtë të fundit, pasi modelen e bëja kur isha 15-17 vjeç, por si krijuese të stilit tim dhe shumë e shumë të tjera. Unë shkruaj prej gjithë jetës letërsi, pikturoj, etj... Të gjitha këto janë rritur me mua dhe falë studimeve të duhura, praktikës dhe kërkimeve të mija personale, në mënyrë të pavarur, dhe zhvillimit të shumë formave artistike në mënyrë të pandërprerë gjatë gjithë jetës sime, ndonjëherë dalin gjëra interesante. Por të gjitha gjërat që unë bëj i bëj për qejfin tim, ndaj dhe nuk para është shumë publik aktiviteti im artistik, ndaj dhe keqkuptohen si “provat e radhës së një njeriu që nuk po gjen karar së provuari”. Përsa i përket dokumentarit, aty unë nuk jam vetëm skenariste, por edhe realizuese e tij, edhe fotografia edhe muzika janë të miat dhe ky dokumentar nuk flet vetëm për Piramidën, por mbi të gjitha për absurditetin në të cilin është përfshirë populli shqiptar në 25 vitet e fundit, i cili natyrisht është rezultat i një absurditeti shekullor që i ka gjenezat thellë në historinë e shkuar të popullit tonë.
A mund të quhet ky dokumentar rebelimi i radhës i Zhakut? E kam fjalën këtu për një dokumentar ku ju në mënyre artistike protestoni për prishjen e Piramidës...
Nuk mund të quhet as rebelim as i radhës. Protesta për prishjen e Piramidës nuk ka nevojë për rebelim, por për parime të forta qytetare, që të vendosin vetvetiu në pozicion protestues përpara një absurditeti të tillë siç ishte ky vendim për prishjen dhe për ndërtimin e Parlamentit në vend të tij. Unë edhe shumë të tjerë, pra mbi 10 000 qytetarë, kemi protestuar në mënyrë paqësore, duke ndjekur parimet e një shteti të lirë dhe demokratik, për atë që kemi besuar si të drejtë dhe jo vetëm nuk jemi rebeluar, por përkundrazi kemi vepruar në mënyrat më të qytetëruara të mundshme dhe kemi ndjekur çdo procedurë që parashikon Kushtetuta për të thënë lirisht mendimin dhe vullnetin tonë.
Keni sjellë kujtimet e të tjerëve me atë ndërtesë, po ju vete çfarë kujtimesh keni?
Ajo godinë përfaqëson shumë për qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Si fillim, përfaqëson absurditetin e një muzeumi për një diktator, si vazhdim simbolizon një tranzicion kaotik që i dha forma dhe përmbajtje të reja nga më të ndryshmet për 20 vite me radhë. Si përfundim, përfaqëson absurditetin e pushtetit aktual, i cili ka ende frikë nga fantazmat dhe kërkon të shembë kulte për të ndërtuar kulte. Personalisht kam kujtime të rëndësishme në lidhje me këtë godinë, janë koncerte me shkollën e mesme, ku kam qenë protagoniste, punët e mia të para si drejtuese programesh televizive, pasi aty ka qenë Alba tv, ku unë kam nisur aktivitetin tim si drejtuese dhe autore programi. Gjithashtu Top albania radio, ku kam bërë një talk show darke për disa kohë. Shumë festa dhe shumë bashkëpunime me shumë organizatorë eventesh. Shumë takime me miqtë e mi. Shumë vite jetë të lidhura me atë godinë. Gati një jetë e tërë. Mungesa e saj në qytet do ta trishtonte shumë pjesën e atyre njerëzve që besojnë se po nuk u ruajt historia nuk ka zhvillim përpara por ka vetëm regres dhe vrima të zeza boshe që na fusin e na nxjerrin asgjëkund.
A do të jetë dokumentari fusha ku do të përqendroheni profesionalisht?
Fusha ime profesionale është krijimtaria artistike dhe unë aty kam qenë dhe do të mbes e fokusuar gjithmonë, pavarësisht nga forma që përmbajtjet artistike do të kenë. Edhe dokumentarë do të vazhdoj të bëj, por edhe shumë e shumë nga ato të tjerat që ju i quani prova, por që unë i quaj jetë.
Gjatë realizimit të këtij dokumentari, diçka që ju ka impresionuar më shumë?
Ai dokumentar është realizuar gjatë protestave për mosshembjen e Piramidës dhe gjatë gjithë atij karvani të mundimshëm në të ftohtë e në kushte skandaloze, ajo çfarë më ka impresionuar më shumë është mungesa e një argumenti bindës për shkaqet e hakërrimit kundër një godine të shkatërruar e të pafat, që në vend të vihet në funksion të qytetarëve që i kanë nevojat e tyre kulturore, sociale, ekonomike, ligjore të panumërta; përbaltet si varr apo si mbulesë fantazmash. Kjo është shumë absurde dhe vazhdon më impresionon edhe sot.