E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aventurat në det dhe mal, në një javë policia shpëton 15 turistë të huaj

Sezoni turistik, i cili sapo ka nisur dhe i ofron turistëve vendas e të huaj një pafundësi atraksionesh në det e mal, ka bërë që dhjetëra turistë, kryesisht të huaj, të përfshihen në aventura që hera-herës rrezikojnë jetë e tyre.

Policia e Shtetit vetëm gjatë kësaj jave ka raportuar katër raste të ndërhyrjes së efektivëve të saj për të shpëtuar jetën e 15 turistëve, të cilët u përfshinë në aventura me rrezikshmëri, por që falë ndërhyrjes së efektivëve të specializuar u arrit që të shpëtohen.

Konkretisht, mbrëmjen e shkuar, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi iu shkuan në ndihmë 2 turistëve çekë, që kishin ngelur në det dhe e kishin të pamundur kthimin në breg, me mjetin e tyre lundrues tip kajk për shkak të dallgëve të larta.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë Kufitare shkuan në vendin ku kishin ngelur turistët dhe i kanë shoqëruar ata me mjetin e Policisë Kufitare, deri në breg, së bashku me mjetin e tyre lundrues.

Rasti i dytë u regjistrua në Himarë, ku 4 turistë, njëri i dëmtuar për shkak të rrëzimit,  kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur, në plazhin e Gjipesë.

4 turistët, të cilët po eksploronin zonën midis fshatit Ilias dhe plazhit të Gjipesë, për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, kishin mbetur të izoluar brenda një grope, dhe njëri prej tyre turistëve ishte rrëzuar.

Pas 9 orësh kërkimi, në terren të vështirë dhe në kushtet e errësirës, u bë i mundur lokalizimi i turistëve, të cilët u nxorën fillimisht nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe më pas u transportuan me mjetin e ambulancës, në spitalin e Himarës, për kontroll mjekësor.

Një tjetër rast u konstatua në Gjirin e Filikurit në Himarë, ku 2 turistë holandezë, njëri prej të cilëve ishte dëmtuar, kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur, në gjirin e Filikurit.

2 turistë holandezë po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi.

Ndërsa rasti i katërt i evidentuar për javën që u mbyll, u regjistrua në Përmet, ku efektivët e Policisë u erdhën në ndihmë 7 turistëve të huaj që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës.

Te “Kanioni i Langaricës”, 7 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, mbetën të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Gazetare: Flutura Tota

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›