Aventurat skandaloze të Bajronit nëpër Shqipëri, nesër në "Channel 4"
"The scandalous adventures of Lord Byron", me protagonist aktorin Rupert Everett, shfaqet premierë sot dhe ritransmetohet më 3 gusht në kanalin britanik "Channel 4" në të njëjtën orë, 21.00.
Pavarësisht se është një staf i tërë që ka punuar për këtë dokumentar, me regji të Michael Waldman, është prezantimi i Everett-it ai që i vë vulën kësaj pune.
E veçanta për publikun shqiptar është "vendosja e ngjarjeve" në Shqipëri. Everett-i ndoqi vjet në vjeshtë gjurmët e poetit të shquar në jug të vendit tonë, duke u munduar të ndërtojë një histori të djeshme të lidhjeve që Bajroni pati me vendet e Ballkanit, me njerëzit e tij, me mënyrën e jetesës, me veshjet.
Prezantimi i parë fotografik i "Aventurave..." bëhet me një foto të Everett-it nëpër gërxhet e Shqipërisë së Jugut i hipur mbi kalë, me një T-shirt nën gunën e vjeshtës.
Me sa dihet nga procesi i xhirimit të filmit në atë kohë, aktori kishte menduar edhe për një "paraqitje" të prirjes seksuale të Bajronit, për "provat" e vendeve dhe të njerëzve me të cilët ai kishte pasur në këtë vend ballanik marrëdhënie dashurore brenda të njëjtit seks me të.
Madje, Everett-i, duke dashur t'i hyjë me bindje kësaj ane të jetës së Bajronit, që për të është një poet i pavdekshëm, ka marrë edhe intervista, për shembull me një virgjëreshë shqiptare, grua e betuar për të vdekur burrë, si për të kërkuar ngasje të çuditshme që kjo tokë mund t'i ketë dhënë edhe poetit të tij Lord.
Megjithatë, kur xhirohej ky film, thuhej se është gjë kaq e mirë, sepse s'ka për t'i lë gjë mangët Shqipërisë turistike.
"Aventurat skandaloze të Lord Bajronit" është një produksion i Basti Films Production për "Channel 4". Drejtor i fotografisë është Dirk Nel, producent Matthew Hill.
Kriza e fundit e një burri në moshë të pjekur
Romani "Çelësi" i një prej romancierëve më të shquar japonezë të shekullit XX, Junichiro Tanizaki, me siguri që u kujtohet lexuesve të letërsisë së ndaluar në vitet '60-të. Sot ky roman vjen në shqip i lirë.
Arsyeja pse vepra e Tanizakit nuk mund ta kalonte pragun, ishte shtjella e hollë erotike që nis e çlirohet në mendjen e një burri, e një profesori 55-vjeçar, i cili pas 30 vjet martese përpiqet të rinjohë trupin e gruas së tij të pakënaqur e të ndrydhur.
Dy bashkëshortët fillojnë të përdorin ditarët e tyre si mënyrë komunikimi, duke pranuar fshehtazi të lexojnë ditarët e njëri-tjetrit, të cilët nxjerrin në pah problemet e tyre të të kuptuarit të njëri-tjetrit dhe largësinë mes tyre, madje edhe gjatë jetës së tyre seksuale.
"Një vepër sa sensacionale aq edhe serioze... kriza e fundit e pasionit seksual të një burri në moshë të pjekur", e cilësonte në botimin e parë anglisht "New York Times".
Romani është përkthyer në shqipe nga anglishtja nga Ines Ekonomi dhe është botuar nga botimet "Linus".
Junichiro Tanizaki u lind më 1886-ën në Tokio. Që në fund të viteve '20 të shekullit të shkuar, ai konsiderohej si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj japonezë.
Pa shkuar shumë kohë ai bëhet njëherësh dhe një ndër autorët japonezë më të respektuar e më të lexuar në Europë dhe SHBA. Ndër veprat e tij kryesore përmenden romanet "Naomi" (1924), "Ashikari" (1932), "Portreti i Shunkinit" (1932), "Historia e fshehtë e zotit të Musashit" (1935), "Motrat Makioka" (1949), "Ditari i një plaku të çmendur" (1961) etj.
Tanizaki ishte japonezi i parë që u zgjodh anëtar nderi i Akademisë Amerikane, si dhe Institutit Kombëtar Amerikan të Arteve dhe Letrave. Vdiq në vitin 1965.
"Marubi" prezanton filmat e fundvitit
Akademia e Filmit dhe e Multimedias "Marubi", prezanton sonte në orën 19.00 filmat e studentëve për vitin akademik 2008-2009.
Është bërë traditë tashmë që filmat e shkurtër artistikë, që studentët prodhojnë në mjediset e kësaj shkolle, t'i ballafaqojnë me publikun familjar, me miq të shkollës dhe njerëz që shpresojnë të shohin në horizont talente të ardhshme të kinemasë shqiptare.
Fundi i këtij viti akademik nuk ka qenë aspak i lehtë për këta studentë. Nuk kanë pasur qetësinë e duhur për të punuar dhe studiuar normalisht, për shkak të trazirave që ndodhën në oborrin e shkollës gjatë gjithë pranverës.
Një konflikt ndërmjet vendimeve të befasishme politike dhe parimeve morale për të ruajtur një shkollë edhe atëherë kur ajo nuk mund ta mbrojë veten ligjërisht, e ka mbajtur pezull dhe në ankth situatën. Megjithatë, aty vazhdon të shfaqet një kinema e mirë, që nuk e gjen as në DVD dhe vjen nga historia e kinematografisë botërore.