Përplasen dy automjete, bllokohet për 3 orë aksi Fier-Vlorë
BLLOKIMI/ Mes "pritësve" të lirimit të rrugës ka qenë edhe mjeti i ministrit të Drejtësisë
FIER - Një aksident automobilistik i ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme ka shkaktuar katër të plagosur, ndërkohë që dy mjetet e përplasura kanë pësuar dëmtime të pariparueshme. Jo vetëm kaq. Ky aksident ka shkaktuar njëherësh edhe bllokimin e rrugës nacionale Fier-Vlorë.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur "Qafa e Koshovicës" rreth 2 kilometra larg qytetit të Fierit. Dy automjete përkatësisht me targa FR 9257 B tip "Benz" dhe një mjet tjetër tip "Volksvagen" me targa VL 3494C si rezultat i moszbatimit të rregullave në qarkullim janë përplasur fort me njëri-tjetrin duke shkaktuar të plagosur në të dy mjetet respektive.
Gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Policia rrugore ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, e cila fillimisht u ka dhënë ndihmë të plagosurve, ndërkohë treguan kujdes për zhbllokimin e rrugës nacionale.
Fillimisht është larguar njëri prej mjeteve që kishte zënë rrugën dhe më pas mjetet kanë filluar të lëvizin, por me shumë ngadalësi duke krijuar probleme te dhjetëra fëmijë, të cilët ndodheshin së bashku me prindërit e tyre për të kaluar fundjavën në Vlorë.
Ndërsa policia rrugore po merrej me hetimin e këtij aksidenti, qindra mjete nga të dyja anët e rrugës Fier -Vlorë dhe anasjelltas kishin bllokuar rrugën dhe askush prej tyre nuk i hapte rrugën njëri-tjetrit. Shumë forca të policisë kanë ardhur në ndihmë të kolegeve të tyre rrugorë dhe vetëm mbas 3 orësh është bërë e mundur lëvizja e rregullt në të dy krahët e makinave. Brenda këtij kaosi rrugor ndodhej edhe mjeti i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.
Si gjithë qytetarët e tjerë, ai ka pritur radhën aq kohë sa është dashur të zhbllokohet rruga. Të njëjtin fat kanë pasur edhe shumë çifte, të cilët kishin dje ditën më të lumtur të jetës së tyre.
Mjetet me të cilat çiftet prisnin të shkonin në gëzimin e tyre familjar kanë mbetur të bllokuar. Mësohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë moszbatimit të rregullave të qarkullimit nga drejtuesi i mjetit tip "Volksvagen".
Kush mban përgjegjësi për aksidentet
Pesë njerëz humbën jetën mëngjesin e djeshëm teksa udhëtonin me makinë. 20 të tjerë ndodhen në spital me plagë të shkaktuara teksa udhëtonin me makinë. Fotografitë dhe pamjet televizive tregojnë vetëm rrugë të përgjakura dhe pjesë makinash të shkatërruara, por në asnjë rast policë. E gjitha kjo në një ditë. Po nesër?!
Qeveria shqiptare, me krenari, ka prerë për muaj të tërë shirita rrugësh të reja dhe të vjetra; policia shqiptare është krenuar për muaj të tërë për arrestime pa fund njerëzish por asgjë nuk është bërë për aksidentet. Rrugëve të Tiranë, natën mes të shtunës dhe të dielës, nuk ndodhej asnjë polic ndërsa makinat "ulërinin" fuqishëm nga xhirimet e gomave të shoferëve të dehur ose thjesht qejflinj.
Asnjë polic nuk ndodhej, qoftë dhe për të trembur shoferët, tek kryqëzimi pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku të paktën tre njerëz rrezikuan jetën nga një aksident automobilistik. Asnjë polic nuk ndodhej në autostradën Tiranë- Durrës kur një makinë hyri në korsinë e gabuar dhe shkaktoi aksidentin e tmerrshëm me pesë viktima.
Ai duhet të ishte diku aty buzë autostradës, qoftë edhe për të "trembur" shoferët që të mos ecin me 200 km/h.
Asnjë tabelë nuk ndodhej në rrugë për t'i treguar shoferes 27-vjeçare se duhej të kthehej në krahun tjetër. Asnjë bordurë mbrojtëse për të ndaluar hyrjen e paautorizuar të makinave në krahun e gabuar. Sa shumë "asnjë"...
Sigurisht që nuk mund të ndodhet një polic në çdo kryqëzim, në çdo rrugë dytësore apo aty ku ndodhin aksidentet por të paktën duhet të ketë një diku në zonë. Nuk mund të gjesh policë dhe postblloqe në çdo kryqëzim deri në orën 24.00 dhe më pas heshtje.
Dje, deri në orën 24.00 rrugët ishin plot me policë që përpiqeshin të mbushnin normën e gjobave, por asnjë prej tyre nuk mbante me vete një tub për të kontrolluar sasinë e alkoolit të drejtuesve të makinave. Kjo sepse "të dehurit" në ato orë janë ende në gjysmën e punës, të cilën e mbarojnë rreth orës 04.00 dhe më pas derdhen rrugëve të qyteteve.
Dhe në orën e të dehurve, policët nuk ndodhen në shërbim. Madje edhe kur ndodhen i gjen në pikat e tyre legjendare ku kanë pothuajse dy dekada që u ngrenë pusi shoferëve. Ato pika që i dinë të gjithë shoferët (përjashto ndonjë emigrant që po eksploron për herë të parë qytetin) dhe të gjithë i shmangen. Besoj se edhe policia i di këto gjëra por thjesht kthen kokën në krahun tjetër, ashtu siç bën kur një makinë "të fortësh" hyn kundravajtje...
Dhe sërish kthehet pyetja: Çfarë do bëjë nesër policia jonë e nderuar, Ministria e Transporteve apo strukturat e tjera shtetërore? Shpresojmë jo vetën transportuesin për në spitalin më të afërt të viktimave të aksidenteve.