E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet jeta e natës në Vlorë, Sarandë, Orikum

Urdhri/ Bashkitë e tre qyteteve kanë vendosur një limit të kohës se deri kur mund të mbahet muzika me zë të lartë

VLORË - Tashmë mund ta ëndërrosh një disko që zgjat deri në orët e para të mëngjesit dhe ku mund të kërcesh deri në momentin kur dielli vendos të nxjerrë rrezet e tij. Në të gjithë qarkun e Vlorës, i cili përfshin qytetin e Vlorës, Orikumin, si dhe Sarandën tashmë nuk do të ketë më muzikë të lartë pas orës 01:00 të mëngjesit. Një vendim i tillë mësohet të jetë marrë nga krerët e bashkive përkatëse, të cilët kanë nxjerrë një urdhër që i kufizon aktivitetin e këtyre diskove përgjatë javës deri në orën 12:00 dhe përgjatë fundjavës deri në orën 01:00.


Policia


Ka qenë e mërkurë dita kur policia e shtetit ka filluar të lëvizë nëpër Vlorë duke komunikuar urdhrin e dhënë për uljen e zërit të muzikës. Pavarësisht marrjes së lejes për një aktivitet të rregullt, tashmë të gjitha bizneset do të duhet t'i nënshtrohen këtij urdhri. Drejtori i policisë së Vlorës, Vehbi Bushati, i pyetur lidhur me këtë vendim shprehet se policia nuk po mbyll diskot, por thjesht po ndihmon në mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë publike.


"Është një urdhër i nxjerë nga Bashkitë e Vlorës, Sarandës dhe Orikumit, të cilat normojnë aktivitetin që këto duhet të kenë. Urdhri është shoqëruar edhe nga drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku saktësohet se në ditë jave ato duhet të ulin muzikën pas orës 24:00 dhe në fundjavë, pas orës 01", thotë Bushati. Sipas tij, shkak për këtë kanë qenë telefonatat e shumta nga qytetarë që banojnë në zonat e Ujit të Ftohtë, por edhe pushues e pronarë hotelesh, ku këta të fundit janë ankuar se po iu ikin turistët dhe pushuesit, pasi ka shumë zhurma nga diskot verore.


Po kështu Bushati, pohon se vetë administratorëve u është komunikuar se nëse nuk janë dakord, të ankimohen, madje edhe në prokurori, nëse ka shkelje ligjore. Një gjë e tillë pohohet edhe nga shefi i Policisë Bashkiake, Ilirian Hasani. Për "Shekulli"-n Hasani thotë se ka një urdhër me shkrim të kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, për mbylljen e diskove pas orës 01:00 për shkak të shqetësimit të pushuesve.


Ankesat


Por ndërkohë, pushuesit duket se nuk janë në të njëjtin mendim: "Vlora ka vetëm dy muaj jetë nate dhe është ndër gjërat më të bukura që shoqërojnë detin", thotë një prej të rinjve. "Unë nuk shkoj me pushime në vend tjetër, pasi kam qenë dhe më parë në Vlorë dhe ka jo vetëm plazhe shumë të mira, por edhe disko shumë të mira. Këtë vit jam habitur me këtë që kam parë. Isha të premten, erdhi policia. Isha të shtunën, sërish erdhi policia.


Më duket më shumë se absurde. Nuk arrij ta mendoj. Unë kam qenë dhe jashtë shtetit dhe në verë mund të shkosh deri në 4 të mëngjesit për të dëfryer". Një tjetër i ri, Enea S., frekuentues i këtyre diskove pohon se vjen gjithnjë pranë detit për të shijuar kënaqësinë që të japin ambiente të tilla. "Edhe vjet në verë, edhe një vit më parë këtu kam qenë. Plotëson jetën në Vlorë muzika në bregdet. Tashmë na thonë të rrimë me zërin ulur.


Po kështu nuk dalim fare, njësoj është. Mirë që nuk na dhanë nga një kufje", shprehet Enea në mënyrë protestuese, duke hedhur poshtë edhe pretendimin për shqetësim. - Mua më duken thjesht operacione të pastra policie, qëllimi i të cilave nuk e di cili është", përfundon ai.


VËZHGIM
Jeta e natës në Vlorë dhe "policia ik"


Dy orë pasi dita e shtunë kishte trokitur më zgjoi një zile celulari nga miq të mitë që kalojnë pushimet në Vlorë, ndërsa nga ana tjetër protestohej se policia kishte "mbirë" në diskon e mbushur plot dhe kishin kërkuar që të ulej zëri.


Pak në përgjumësi gjendja m'u duk qesharake, duke menduar se (siç më kishte ndodhur para disa muajsh në Tiranë), uniformat blu do të ishin në kërkim të ndonjë personi që ndodhej aty dhe kanë dashur të largonin klientët në mënyrë që të kishte sa më njerëz në momentin që do të vepronin.


Por ata vazhduan duke këmbëngulur se edhe një ditë më parë kishin bërë të njëjtën gjë, dhe jo vetëm në diskon ku shkonin ata. Përshëndeta me një shprehje gjumëdashëse duke thënë se do të flisnim në mëngjes dhe u ktheva nga ana tjetër. Zbardhja herët e ditës më çoi në mendje zonën e Ujit të Ftohtë (emër tepër i njohur për këdo që s'është nga Vlora, për plazhin, restorantet, jetën e natës).


Në komunikim me persona të tjerë të qytetit turistik bregdetar mësova se policia e shtetit kishte shkuar në të gjitha diskot dhe i kishte mbyllur ato. Mbërritja e së shtunës në darkë nuk e kishte ndryshuar gjendjen. Tashmë të informuar, shumë prej plazhistëve nuk ishin më në diskot pranë qytetit, por i ishin afruar Radhimës me qëllim që policia të mos mbërrinte tek ata.


Por ajo sërish mbërriti. Një videoklip me shprehjen "Policia ik" u shfaq në momentin që furgoni i uniformave blu, pasi kishte përfunduar kontrollin e diskove të zonës së Ujit të Ftohtë, mbërriti edhe në diskotekat më të largëta.


Shumë pushues të rinj ngritën zërin, ndërsa një kor me shprehjen "Policia ik!" vijoi për disa minuta pa i trembur aspak policët e shtetit, teksa zbatonin rigorozisht urdhrin e lëshuar. "Nuk ka kuptim. Vlora është asgjë pa jetën e natës. Është një nga gjërat më të bukura të saj", bërtisnin në telefon personat që më tregonin se ç'po ndodhte në ato momente në diskon që ata kishin zgjedhur për të shkuar pas braktisjes së të parës.


Goditje cilësohet mbërritja e bluve me urdhrin për të ulur volumin e muzikës në orën 1:00 të natës nga personat që gjatë verës investojnë në këto biznese, sidomos në këto ditë sezoni të shumëpritura. Moti i keq, zgjedhjet, situata paszgjedhore (sipas statistikave) e ulën me 40% numrin e turistëve këtë vit.


E më pas problemet e shumta me energjinë elektrike dhe ujin ishin një tjetër "sulm". Tashmë, urdhri që muzika të zgjasë vetëm dy orë dhe kjo vetëm të premte e të shtunë është një tjetër goditje për turizmin në Vlorë.


Duket se minimalisht kësaj zone do t'i mungojnë të rinjtë nga qytete të ndryshme që pas ditës në plazh a në punë, zgjedhin ta kalojnë mbrëmjen në diskot e Vlorës. Në një kohë që trumbetohet zhvillimi i turizmit, lëvizje të tilla për t'u siguruar "qetësi" turistëve, duken të pakuptueshme për pjesën tjetër të tyre që jetën e natës vijojnë ta kërkojnë me shumë ngulm, duke i lënë lamtumirën Vlorës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›