E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avionë dhe fatura të sajuara për të poshtëruar një festë private ku mungonte Berisha

 Letër redaksisë së gazetës Tema

I nderuar botues i gazetës Tema.

Para disa ditësh pashë në gazetën tuaj një lajm me humor rreth një feste familjare të Behxhet Pacollit në Prishtinë, ku kishin marr pjesë dhe politikanë të Shqipërisë. Unë që po ju shkruaj jam një dëshmitar i kësaj feste, që për etikën e festës dua të mbetem anonim. Nuk do isha marrë me përpjekjen tuaj për të bërë humor, por me lajme të tjera serioze shpërndarë nga njerëz të pushtetit në Tiranë rreth kësaj feste.

Disa gazeta afër qeverisë kanë shkruar se zoti Pacolli ka dërguar dy avionë në Tiranë, një për të marrë Ilir Metën dhe një për të marrë Edi Ramën. Nuk është e vërtetë. Nuk ka dërguar asnjë avion dhe ata kanë ardhur me mundësitë e tyre, dikush me avion dhe Edi Rama dhe gruaja e tij me makinë. Gazetat afër pushtetit në Tiranë dhe ju me humor, keni shkruar se të ftuarit kanë ikur pa paguar dhe pagesat i ka bërë një farë Aleksandër Frangaj. Nuk është e vërtetë. Të ftuarit kanë qenë mysafirë  të zotit Pacollit dhe hoteli ka qenë përgjegjësi e tij. Skandali që ka tentuar të prodhojë zoti Frangaj, duket se është në funksion të lajmeve që prisnin gati për t’u shkruar më vonë.

Zoti Pacolli, pasi ka marrë vesh këto lajme fyese për të, i ka sqaruar të ftuarit për incidentin dhe gjithçka është mbyllur këtu. Fakti që gazetat afër pushtetit vazhdojnë ta shkruajnë këtë fakt si të vërtetë, tregon se ato kanë kërkuar ta prodhojnë këtë lajm, i cili nuk është i vërtetë.

Së fundmi, desha t’u sqaroj ju, pasi besoj se keni distancën e duhur për ta bërë këtë gjë, për disa rregulla etike që nuk duhet të shkelen në raste të tilla. Zoti Pacolli kishte një festë private dhe është e drejta e tij të ftojë kë dëshiron të ftojë. Askush nuk ka të drejt ti cenojë atij gëzimin e jetës private dhe të fyej përpjekjet e tij për mirësjellje dhe respekt ndaj mysafireve. Përpjekja për ta njollosur një festë private për arsye politike, me detaje banale, dhe gjeste që turpërojnë ata që ishin njëkohesisht  edhe të ftuar, edhe njollosës  të kësaj feste, është e ulët dhe ju duhet ta denonconi. Unë e përfytyroj pak a shumë  përse Aleksandër Frangaj ka tentuar të prodhojë këtë situatë poshtëruese për këtë festë, por nuk e kuptoj përse qëllimit të tij të mbrapshtë i duhet futur si personazh doemos lideri i opozitës në Shqipëri apo personalitete të tjera si dy ish presidentët shqiptarë apo presidenti aktual Bamir Topi, vetem pse ata nuk i do Berisha. Nuk do të besoja kurrë që për qëllime politike dhe për të krijuar një tablo banale, kudo ku mungon kryeministri Berisha, lakejtë e tij të mobilizohen duke shkelur mbi privatësinë dhe etikën festive private të njerëzve të tjerë të respektuar.

Po e përsëris dhe një herë se në këtë festë nuk ka pasur avionë privatë për askënd, dhe nuk ka pasur mysafirë të lënë rrugëve që t’i paguajnë pagatorët e Sali Berishës. Në këtë festë private ka pasur hare dhe gëzim familjar dhe respekt ndaj një njeriu që në gjashtëdhjetvjetorin e tij kishte nevojë të kishte sa më shumë miq rrotull tij. Siç shihet, ka pasur dhe njerëz që e kanë turpëruar këtë festë, por jo për shkak të të zotit të shtëpisë, por për shkak të ligësisë së tyre dhe atij që i shërbejnë.

* Me shprese se do ta publikoni kete reagimin personal, po jua shkruaj ne rubriken leter Drejtorit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›