E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avionët elektrikë po vijnë

Përpjekjet për krijimin e një baterie që të mund të vërë në lëvizje automobilët pa përdorur fare benzinë i kanë bërë inxhinierët të mendojnë edhe për krijimin e një avioni elektrik. Kohët e fundit në një ekspozitë në shtetin Wiskonsin u demonstruan disa projekte të reja avionësh të tillë. Ekspozita organizohet nga Shoqata e Mjeteve Fluturuese Eksperimentale. Megjithëse avionët elektrikë për pasagjerë i takojnë së ardhmes së largët, avionët sportivë apo helikopterët që punojnë me bateri mund të dalin në treg pas disa vjetësh.
John Monnett është themeluesi i firmës Sonex Aircraft. Ai flet me pasion kur tregon për vetitë e avionit të ri eksperimental WAIEX. Ky i ngjan një avioni të vogël, por zhurmën nuk e ka aspak si të një avioni të vogël. Kjo, sepse ky version i WAIEX-it nuk përdor motor me djegie të brendshme, por punon me bateri.
"Deshëm të stimulonim ide të reja për avionët elektrikë dhe ky avion është kulmi i këtyre përpjekjeve. është gati të fluturojë, është krejtësisht elektrik, pra ka baterinë dhe motorin e tij elektrik."
Avioni me bateri WAIEX është produkt i një nisme të quajtur Sonex e-flight. Kompania e filloi këtë punë në vitin 2006 për të nxitur krijimin e avionëve me burime të tjera energjie.
"Ky është një moment historik," thotë Craig Willan, inxhinier avionësh për Zërin e Amerikës”. Ai e ka ndjekur nga afër procesin e ndërtimit të avionit elektrik.

"çfarë do të na sjellë elektriciteti në ajër? Të mirat nuk kanë fund. Kjo është një formë e pastër, e përtëritëshme dhe efikase energjie."

Kështu mendon edhe inxhinieri Jonathan Hartman.

"Motori elektrik ka shumë të mira krahasuar me motorin me djegie të brendshme. Ai gjeneron më pak zhurmë dhe dridhje, është më i thjeshtë në ndërtim, pra kushton më pak dhe manipulohet më lehtë."

Hartman bën pjesë në ekipin e firmës Sikorsky Aircraft, që ka në dorë projektin e quajtur Firefly. Fjala është për një helikopter me një rotor të vetëm që funksionon me bateri të prodhuara nga firma amerikane Hybrid.

"Burimi i energjisë këtu janë dy bateri litiumi të ngjashme me ato që përdoren në kompjuterin portativ, por të përshtatur për helikopterin."

Hartman thotë se kompanisë i lindi kjo ide për shkak të luhatjes së çmimeve të benzinës në treg.

Megjithatë, pikërisht ajo që i vë në lëvizje avionët elektrikë është edhe njëherësh pengesa më e madhe. Bateritë janë të mëdha e të rënda, kështu që krijimi i baterive më të lehta është sfida më e madhe për makina të tilla që nuk e durojnë dot peshën.
Hartman mendon se Sikorsky e ka gjetur zgjidhjen. Ai shpreson që provat e helikopterit me njerëz të fillojnë së shpejti.

"Ky helikopter mund dhe do të fluturojë patjetër. Kjo do të bëhet pas përfundimit të provave, shpresojmë nga fundi i këtij vit.", përfundon Hartman.

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›