E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu i VMRO-së pa personalitete shqiptare

Shkup, 14 gusht - Asnjë nga personalitetet shqiptare, të cilat kanë marrë pjesë në luftërat çlirimtare të Maqedonisë, nuk bën pjesë në ndonjërën nga 105 përmendoret nga dylli që do të vendosen në Muzeun e luftës revolucionare maqedonase, apo i njohur si Muzeu i VMRO-së. Edhe pse nga partia shqiptare në pushtet BDI deklarojnë se kohë më parë është arritur marrëveshja për përfshirje edhe të figurave shqiptare në këtë muze, deri më tani nuk është bërë asnjë ndryshim apo plotësim në tenderin për përpunimin e figurave nga dylli, të cilin e kishte fituar muzeu i Kievit në bashkëpunimin me partnerin maqedonas-ukrainas “Specijalna Oprema”- Shkup.
“Projekti Shkupi 2014, nga një projekt mono-etnik po transformohet në projekt multi-etnik. Kështu, të gjitha ndërtimet do të përmbajnë elemente që reflektojnë karakterin multi-etnik të shtetit, dhe ky parim vlen edhe për muzeun revolucionar”, thonë në BDI. 
Sipas historianit Skender Asani, ekzistojnë mijëra dokumente që dëshmojnë pjesëmarrjen e personaliteteve shqiptare, që ndër shekuj kanë kontribuar për çlirimin e Maqedonisë. Madje ai sugjeron që në muze të ndërtohet një pavijon ku do të paraqiteshin figurat shqiptare dhe të punësohen së paku 10 historianë shqiptarë.
“Për luftën shqiptare të këtyre trevave kemi për shembull familjen Kumbaraj, e cila dha një kontribut të jashtëzakonshëm për Shkupin dhe për çështjen e kombëtare, është familja Derallaj.. Kemi edhe pikëtakimet e përbashkëta të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe asaj revolucionare maqedonase, duke filluar nga përfundimi i perandorisë osmane, ku Hasan Prishtina në Shkup zhvillon bisedime me organizatën revolucionare maqedonase për çlirim nga perandoria osmane...” , tha për Alsat-M, historiani Skender Asani.
Më tej Asani vlerëson se në këtë muze do të duhej të vendoseshin edhe Bajram Curri e Hoxhë Kadriu, si anëtarë të Komitetit të Kosovës, të cilët kanë bashkëpunuar me organizatën revolucionare maqedonase ndërmjet dy luftërave botërore, për çka flasin një mori dokumentesh në Shkup, Vjenë, Londër, Serbi, Bullgari e Shqipëri.
Ndërtimi i “Muzeut të luftës maqedonase për pavarësi dhe shtetësi” u vendos në qershor pritet të përurohet në qershor të vitit të ardhshëm.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›