E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët dështojnë në lirimin e ish-shikasit Ilir Kumbaro

17/06/2009  Krimet e Rënda kundër lirimit të tij, avokatët tentuan t’i hiqnin masën e sigurimit

TIRANË –Procesi gjyqësor kundër të pandehurve që akuzohen për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e shtetasit shqiptaro – maqedonas Remzi Hoxha, dje ka marr rrjedh ndryshe. Avokatët mbrojtës që në fillim të seancës gjyqësore bënë disa kërkesa që për fatin e tyre të keq nuk morën përgjigje pozitive. Kështu avokatët e të pandehurit Ilir Kumbaro, arrestuar në Angli para disa muajsh kërkuan heqjen e masës së sigurimit ndaj tij. Arsyetimi i avokatëve ishte se kjo masë shtrënguese është vendosur për Kumbaron që në vitin 2003 dhe tashmë nuk ka më fuqi. Por kërkesës së bërë nga avokatët mbrojtës i është kundërpërgjigjur gjykata me vendimin e saj të ndërmjetëm. Menjëherë trupi gjykues i përbërë nga pesë anëtarë është tërhequr me vendim dhe u shpreh kundër kërkesës së bërë nga avokati mbrojtës i familjes Kumbaro. Gjykata tha se masa ndaj Ilir Kumbaros nuk do të hiqet, pasi ajo është në bazë të të gjitha rregulla procedurale dhe nga ana e akuzës është përsëritur kërkesa pas paraqitjes së dosjes për gjykim. Njëkohësisht me kërkesën për të hequr masën e sigurimit për Kumbaron me të cilën ishte kundër edhe prokurori Xhevat Hana, nga ana e avokatëve erdhi një tjetër kërkesë. Avokatët në unanimitet të plotë kërkuan përjashtimin e prokurorit Xhevat Hana. Por gjykata u kujtoi avokatëve se kërkesa për të përjashtuar prokurorin mund të bëhet në prokurori e se gjykata nuk është kompetente për të dhënë një vendim të sajin. Seanca e djeshme gjyqësore u zhvillua më shumë mes debatesh. Avokatët nga njëra anë të pakënaqur nga vendimet e marra nga trupi gjykues dhe nga ana tjetër Prokuroria, e cila kërkonte vazhdimin e gjyqit me paraqitjen e dëshmitarëve të radhës. Avokatët kishin studiuar të gjithë veprimtarinë e prokurorit Xhevat Hana. Sipas avokatëve, prokurori Hana ka qenë komisioner tek Avokati i Popullit dhe ka dhënë mendime për çështjen në fjalë. Pas gjithë debateve dhe kundërshtimeve nga ana e gjykatës procesi vazhdoi me pyetjen e dy dëshmitarëve. Asnjë prej dëshmitarëve të paraqitur dje në proces nuk dha ndonjë të re për gjyqin. Ata u shprehen se nuk kanë dijeni për ngjarjen dhe si kanë qenë vetëm punonjës të thjeshtë. Gjyqi pas marrjes së dëshmive u shty për një javë. Ndërsa priten të merren dëshmi të reja për këtë proces, i cili ende nuk ka zbardhur të vërtetën deri sa nuk dihet ku ndodhet trupi i të zhdukurit Remzi Hoxha.

Kumbaro së shpejti në Tiranë

Ilir Kumbaro pritet që shumë shpejt t’i dorëzohet autoriteteve shqiptare për të qenë pjesë e procesit gjyqësor. Një fakt i tillë u pohua edhe dje gjatë procesit gjyqësor kundër të pandehurve Arben Sefgjini, Avni Koldashi e Ilir Kumbaro. Edhe pse ndodhet në Angli, i pandehuri në këtë proces shumë shpejt do të vij dhe do të jetë pjesë e tij për të dhënë shpjegime më të hollësishme. Nga larg ai pranoi se ishte i pandehur në këtë dosje edhe pse fillimisht e mohoi një gjë të tillë. I vetmi që nuk është bërë pjesë e gjyqit është Budjon Meçe. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital i pavetëdijshëm për atë që po ndodh dhe për të kthyer përgjigje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›