E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Brenda 12 muajve do të hiqen vizat me BE-në

17/06/2009  Liberalizmi i vizave

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ka vlerësuar si tepër pozitive deklaratën e fundit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian në lidhje me procesin e liberalizmit të vizave. Kryediplomati shqiptare ka deklaruar dje se Këshilli ka hedhur një hap madhor drejt përmbylljes së procesit të heqjes së vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjes së dëshirës të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur të lirë dhe pa viza në Europë. Ministri Basha theksoi se ky organ shumë i rëndësishëm ka përshëndetur progresin e qartë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në realizimin e standardeve të përcaktuara në udhërrëfyesit mbi liberalizimin e vizave. Basha u shpreh se në deklaratën e dy ditëve më parë Komisioni Europian u inkurajua që të paraqesë sa më parë një propozim, me qëllim që në rastin më të mirë, deri nga fundi i vitit 2009, të realizohet një regjim pa viza me ato vende që do të kenë plotësuar të gjitha standardet. “Deklarata e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian rikonfirmon qartësisht dhe bindshëm se Shqipëria po përparon me shpejtësi drejt objektivit madhor të qeverisë Berisha: heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë brenda 12 muajve”, - tha ministri Basha. Ai nënvizoi se për të gjithë shqiptarët të afërmit në emigracion, që mezi presin rënien e murit të fundit ndarës me Europën, ky është një lajm i shumëpritur dhe një ëndërr që po bëhet realitet. “Deklarata bën të qartë progresin e arritur nga të gjitha vendet tona dhe bën të qartë se ato vende që kanë plotësuar të gjitha standardet mund të presin në fund të këtij viti liberalizimin e vizave, ndërkohë që plotësimi i këtyre standardeve, përmbushja dhe zbatimi i reformave shikohet si një përparësi për të gjitha vendet”, - tha Basha. Kryediplomati Basha sulmoi edhe kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, i cili sipas tij ka spekuluar në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme, heqjen e vizave është për çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet politike. “Është i turpshëm, i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen e duhur spekulimi që zoti Rama dhe mediet e kontrolluara prej tij bëjnë me këtë lajm kaq të shumëpritur nga shqiptarët anembanë vendit dhe jashtë në emigracion”, - deklaroi ministri i Jashtëm Lulzim Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›