E Hënë, 2 Nëntor 2026

Avokatët e Veliajt kërkesë SPAK: Të zgjatet afati 10 ditor për njohjen me provat, po cenohet procesi i rregullt ligjor

Avokatët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar prokurorëve të SPAK-ut me një kërkesë për zgjatjen deri në datën 24 shtator të afatit për t’u njohur me përmbajtjen e plotë të akteve dhe provave mbi të cilat ështrë ngritur akuza.

Në kërkesën e tyre, avokatët shprehen se volumi i materialeve hetimore është i madh e për këtë arsye, argumentojnë se ndodhen në pamundësi objektive për t’u njohur në mënyrë efektive me përmbajtjen e plotë të provave dhe akteve, brenda afatit 10-ditor të parashikuar nga ligji.

 “Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur”, thuhet në kërkesën e dy avokatëve, të cilët shtojnë se situata rëndohet më tej nga fakti se jemi në fund të muajit korrik dhe periudha e muajit gusht është periudhë e reduktuar pune për organet e drejtësisë, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe avokatët.

“Ky disproporcion mes afatit procedural dhe volumit të materialeve është një cenim thelbësor i të drejtës për mbrojtje efektive dhe për proces të rregullt ligjor, që e zhvlerëson të gjithë garancinë procedurale që Kodi i Procedurës Penale dhe Konventa synojnë të mbrojnë. Kjo lloj “përmbytjeje dokumentare” është një formë abuzimi strukturor me të drejtën e mbrojtjes, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka konsideruar të papranueshme në disa vendime, kur volumi i materialeve i bën të pavlefshme në praktikë garancitë procedurale që duken formalisht të respektuara”, vlerësojnë avokatët e Veliajt.

Në fund ata sqarojnë se kërkesa e mbrojtjes shkon në të njëjtën linjë edhe me vendimarrjen e prokurorëve për përfundimin e afatit hetimor të datës 24 korrik. Sipas tyre, zgjatja e këtij afati jo vetëm nuk cenon aspak interesin publik për ushtrimin e ndjekjes penale, por përkundrazi  ajo i shërben më mirë zbatimit të parimeve kushtetuese të barazisë së armëve dhe procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtës së personit të akuzuar për të patur një mbrojtje efektive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›