Avokatët përplasen për ashpërsimin e ligjit, Gashi: Të rikthehet dënimi me vdekje. Petraj: S’e lejon BE

Avokati Tom Gashi ka kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje si në Kosovë dhe në Shqipëri për veprat kriminalë të rënda. Avokati tha se kriminelet nuk frenohen të kryejnë krime, pasi nuk tremben nga “disa vite burg”.
I ftuar në “Jetë Shqiptare” në RTSH, Gashi tha se BE nuk lejon dënimin me vdekje, por Kosovës dhe Shqipërisë i duhet kohë të hyjë në familjen europaien dhe deri atëherë duhet të kthejë këtë dënim si ashpërsim të Kodit Penal.
“Për vepra jashtëzakonisht të rënda besoj që do të duhet të mendoje ndryshimin e kodit penale si në Kosovë dhe Shqipëri, sepse dënimet të lehta nuk gjejnë vend. Do të ishte një parandalim i fuqishëm për kriminelet e rrezikshëm të jepej mundësia ligjore që të kemi dënimin me vdekje. Ne e dimë që ne BE kjo nuk është e mundshme, por Kosova dhe Shqipja janë larg hyrjes në BE dhe do të ishte mirë që të rikthehet dënimi me vdekje. Le të hiqet nga Kodi penal një ditë para se të hyjmë në BE. Kriminelet e dinë që do dënohen lehë dhe do kenë jetë pas burgut, atëherë nuk frenohen në krimet që bëjnë. Shqiptarët respektojnë frikën nga ligji”, tha Gashi.
Ndryshe beson avokati Edmond Petraj, i cili tha se është e drejta e gjithsecilit të riintegrohet në shoqëri pas burgut.
“Duhet të rritet dënimi me vitet e burgut dhe me gjobë, ky do të ishte ashpërsimi i ligjit. Është e drejtë që të burgosurit të rehabilitohen. Bota kërkon riintegrim të të burgosurve dhe nuk të lënë të fusësh dënimin me vdekje. Shqipëria pjesë e konventës për të drejtat e njeriut”, tha Petraj.
/rtsh.al/