E Martë, 3 Nëntor 2026

Serbia e shqetësuar për mundësinë e ndalimit të përdorimit të valutës së saj në Kosovë

Banka Qendrore e Kosovës nxori një rregullore të re sipas së cilës monedha e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. vendimi nxiti shqetësimin e udhëheqësve të Serbisë. Ata thanë se qëllimi i kësaj rregulloreje është ndalimi i përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, shkruan Zëri i Amerikës.

Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se këtë shqetësim ia ka transmetuar të dërguarit të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak gjatë një takimi përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, tha nëpërmjet një reagimi se “vendimi i regjimit të Albin Kurtit që nga një shkurti të heqë përdorimin e dinarit serb në Kosovë është në fakt vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorur armët”.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi në rrjetet sociale se me rregulloren e re të Bankës Qendrore do të rritet transparenca e dërgimit të parave dhe do të zvogëlohet hapёsira e madhe pёr siç tha keqpёrdorim nё emёr tё mbёshtetjes e ndihmave sociale, praktikё kjo e perfeksionuar nga sekserёt politikё nё Beograd.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak u tha mediave serbe se këtë çështje e ka shtruar në diskutimet me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi dhe ka njoftuar Brukselin zyrtar për të analizuar situatën, por pa dhënë më shumë hollësi.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në dialog që nga viti 2011 për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa në fillim të këtij viti filloi të zbatohet marrëveshja për targat e makinave, moszbatimi i së cilës kishte çuar në tensione dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri.

( Marrë me shkurtime nga Zëri i Amerikës )

/ rtsh.al /

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›