E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati britanik i Veliajt: Do të vijojmë aplikimin në Strasburg, rikthehemi në shtator

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, deklaruan sot se do të vijojnë asistimin ligjor të klientit të tyre në aplikimin pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ndërsa njoftuan se do të rikthehen në Shqipëri në fillim të shtatorit për vijimin e procedurave.

Në një konferencë për mediet, avokati Plarent Ndreca, së bashku me avokatin e studios britanike Ben Brandon, u ndalën tek ecuria e procesit gjyqësor, duke vlerësuar se vonesat në shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj Veliajt përbëjnë një problem më vete.

“Pika thelbësore është fakti që vonesa në trajtimin e çështjes së masës së sigurimit të Veliajt është kthyer në një problem në vetvete. Gjykata e Lartë duhet menjëherë të trajtojë ato që Gjykata Kushtetuese ka shtruar dhe të dalë në një vendim proporcional”, tha Ndreca.

Nga ana e tij, Brandon bëri të ditur se ekipi i tij është angazhuar në përfaqësimin ndërkombëtar të Veliajt që nga fillimi i ndalimit të tij dhe se, pas kërkesave të përsëritura, ka mundur ta takojë vetëm pas 14 muajsh.

“Ne jemi këtu për të asistuar zotin Veliaj në aplikimin drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Do të rikthehemi në fillim të shtatorit për të vijuar me aplikimin. Kërkesat tona për t’u takuar me të janë refuzuar në mënyrë të përsëritur dhe vetëm pas 14 muajsh na u dha kjo mundësi”, tha Brandon.

Sipas tij, procesi i shqyrtimit të masës së sigurisë ndaj Veliajt është shoqëruar me vonesa të pajustifikuara.

“Ka një vonesë prej 16 muajsh dhe të pashpjeguar. Çështjet që lidhen me heqjen e lirisë duhet të trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i ka rikthyer Gjykata e Lartë e Shqipërisë për rishqyrtim kërkesën për masën e sigurisë ndaj Veliajt, duke vlerësuar se duhet të arsyetohet pse nuk është e përshtatshme një masë tjetër, përveç “arrestit në burg”.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, në orën 09:30, për shqyrtimin e çështjes. Trupi gjykues përbëhet nga Sandër Simoni në cilësinë e relatorit, si dhe Valbon Çekrezi e Genti Shala si anëtarë.

Më herët, gjyqtarët Sokol Binaj, Albana Boksi dhe Ilir Panda kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit për shkak të përfshirjes së tyre në shqyrtime të mëparshme të kërkesave të paraqitura nga Veliaj.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›